Presidenti i turk, Recep Tayyip Erdoğan, në një bisedë telefonike me kryeministrin irlandez, Simon Harris, ka përshëndetur njohjen e shtetit të Palestinës nga Irlanda.

“Presidenti Erdoğan gjatë bisedës shprehu vlerësimin e tij për njohjen e Palestinës nga Irlanda si shtet, duke deklaruar se kjo lëvizje do të forcojë përpjekjet për paqen, drejtësinë dhe për një zgjidhje me dy shtete në rajon”, njoftoi Drejtoria e Komunikimeve e Türkiyes.

Irlanda është një nga tre vendet evropiane, së bashku me Norvegjinë dhe Spanjën, të cilat njohën zyrtarisht Palestinën si shtet, në atë që kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, e quajti një "vendim historik".

Erdoğan dhe Harris gjithashtu diskutuan "sulmet sistematike" të Izraelit ndaj Palestinës, si dhe aktivitetet e ndihmës humanitare për popullin e Gazës.

Krerët e dy vendeve gjithashtu diskutuan marrëdhëniet midis Ankarasë dhe Dublinit, si dhe çështjet globale dhe rajonale.

Duke theksuar domosdoshmërinë e detyrimit të Izraelit që të respektojë ligjin ndërkombëtar për një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme, Erdoğan tha se është thelbësore që “vizioni i paqes të mbahet i gjallë".

Izraeli ka nisur një ofensivë brutale në Rripin e Gazës që nga 7 tetori i vitit 2023 pas një sulmi të Hamasit, duke vrarë të paktën 36.170 palestinezë dhe duke plagosur mbi 81.400 të tjerë.

Gati tetë muaj pas luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë kthyer në rrënoja mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për "gjenocid" në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në vendimin e saj të fundit ka urdhëruar Tel Avivin të ndalojë menjëherë operacionin ushtarak në Rafah, ku mbi 1 milion palestinezë kërkuan strehim nga lufta para se qyteti të pushtohej më 6 maj./aa