Ministri palestinez i Shëndetësisë, Abu Ramadan ka shqyrtuar librin e Agjencisë Anadolu (AA) "Dëshmia" (The Evidence) në të cilin përshihen fotografi që dokumentojnë krimet e luftës të kryera nga Izraeli, veçanërisht përdorimin e fosforit të bardhë në sulmet e tij në Rripin e Gazës.

Gazetari i AA-së në Gjenevë, Muhammet Ikbal Arslan i prezantoi librin "Dëshmia" ministrit Ramadan, i cili ndodhej në Gjenevë për të marrë pjesë në mbledhjen e 77-të të Asamblesë Botërore të Shëndetësisë, organit më të lartë vendimmarrës të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

Ramadan i cili shqyrtoi librin "Dëshmia", shprehu mirënjohjen e tij për librin e dhuruar në emër të Drejtorisë së Përgjithshme të AA-së.

"Ne i ndjekim nga afër lajmet dhe provat e ofruara nga Agjencia Anadolu. Mendoj se ky libër është shumë i vlefshëm. Fotografitë e përzgjedhura posaçërisht për librin 'Dëshmia' tregojnë përmasat e problemit që përjetojnë palestinezët dhe masakrën e kryer nga ushtria izraelite", tha Ramadan.

Ai theksoi se libri përfshin fotografi së bashku me datën dhe vendin e ngjarjeve. "Të gjitha këto janë reale dhe kjo është vetëm një pjesë shumë e vogël e tyre. Falënderoj shumë Agjencinë Anadolu", tha Ramadan.

Duke thënë se ata shpresojnë se libri i ardhshëm i AA-së i bazuar në prova të jetë se "si do të rindërtohet shteti i Palestinës", Ramadan shtoi se "Ne do ta rindërtojmë Gazën. Unë premtoj, do ta bëjmë më të mirë se më parë".

Libri "Dëshmi" dokumenton krimet e Izraelit

Ndërsa në fillim shumica e vendeve veçanërisht vendet perëndimore, heshtën për sulmet e kryera nga Izraeli pa dallim ndaj grave dhe fëmijëve në Gaza, shumë vende pretenduan tezën e "mungesës së provave" për masakrat.

Pas këtyre pretendimeve AA vendosi që pamjet e fotoreporterëve dhe kameramanëve, të cilët kanë luajtur rol të rëndësishëm që nga fillimi i sulmeve, t'i publikojë në një libër me qëllimin që të jenë dëshmi për ligjin ndërkombëtar.

Libri i përgatitur në turqisht, anglisht dhe arabisht nga një ekip ekspertësh, u botua me emrin "Dëshmia". Në librin "Dëshmia" përmes fotografive në cilësinë e dokumentit paraqiten krimet kundër njerëzimit të kryera nga Izraeli në Gaza.

Gjithashtu në libër janë përfshirë fotografi të predhave të artilerisë me fosfor të bardhë që ushtria izraelite përdori në zonat me popullsi të dendur civile të Gazës dhe përdorimi i të cilave është krim sipas Konventës së OKB-së për Armët Konvencionale./aa