Ministri izraelit i Kabinetit të Luftës, Gadi Eisenkot, ka akuzuar kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, se “po mbjell iluzione të rreme” për ofensivën e vazhdueshme ushtarake izraelite në qytetin Rafah në pjesën jugore të Rripit të Gazës.

Siç raporton gazeta ‘The Times of Israel’. gjatë konferencës vjetore ‘Meiur Dagan’ në Kolegjin Akademik Netanya, Eisenkot kritikoi kryeministrin Netanyahu për “krijimin dhe nxitjen e konceptit ‘fitore të plotë’ kundër Hamasit”.

“Kushdo që thotë se ne do të shkrijmë disa batalione në Rafah dhe më pas do të kthejmë pengjet, po mbjell një iluzion të rremë”, theksoi Eisenkot.

Netanyahu pretendon se ofensiva e tij në Rafah synon të çmontojë atë që ai i quan "katër brigadat e Hamasit" në qytet dhe të kthejë pengjet izraelite të mbajtura nga grupi palestinez.

Izraeli zgjeroi ofensivën e tij tokësore në Rafah, me tanket izraelite që arritën në qendër të qytetit.

Zgjerimi aktual i inkursionit të Izraelit në qytet e bën ushtrinë izraelite të kontrollojë plotësisht zonën kufitare midis Gazës dhe Egjiptit, e njohur si "Korridori i Filadelfit", një zonë tampon e çmilitarizuar që kalon përgjatë kufirit Gaza-Egjipt.

Para nisjes së operacionit ushtarak izraelit kundër qytetit Rafah më 6 maj, qyteti ishte shtëpi e mbi 1.5 milionë palestinezëve të zhvendosur që u larguan nga zonat në të gjithë Rripin e Gazës për shkak të sulmeve izraelite që filluan më 7 tetor.

Pavarësisht vendimit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon armëpushim të menjëhershëm, Izraeli vazhdon ofensivën brutale në Rripin e Gazës që nga 7 tetori i vitit 2023 pas një sulmi të Hamasit, duke vrarë të paktën 36.170 palestinezë dhe duke plagosur mbi 81.400 të tjerë.

Gati tetë muaj pas luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë kthyer në rrënoja mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.

Izraeli akuzohet për "gjenocid" në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në vendimin e saj të fundit ka urdhëruar Tel Avivin të ndalojë menjëherë operacionin ushtarak në Rafah, ku mbi 1 milion palestinezë kërkuan strehim nga lufta para se qyteti të pushtohej më 6 maj./aa