Në qytetin e Shkodrës u zhvillua spartakiada për nxënësit e shkollave 9-vjeçare, ndërkohë skuadra përfaqësuese e "Maarif Shkodër Campus" në basketboll u shpall kampione.

Në një njoftim nga zyra e Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri thuhet se nën një atmosferë elektrizuese në Pallatin e Sportit "Qazim Dervishi" të mbushur nga nxënësit e shkollave 9-vjeçare të qytetit të Shkodrës u zhvilluan aktivitete sportive të ndryshme dhe ndeshje midis skuadrave të shkollave.

"Skuadra përfaqësuese e 'Maarif Shkodër Campus' në sportin e bukur të basketbollit u shpall kampione dhe ngriti lart trofeun në këtë aktivitet me rëndësi të madhe për nxitjen e shpirtit të garës tek të rinjtë. Nxënësit e 'Maarif Shkodër Campus' treguan një shpirt të madh gare dhe ia arritën të mundin bashkëmoshatarët e tyre ku në përfundim gjithçka u kalua me 'fair-play' dhe me respekt të ndërsjellë për sportistët që morën pjesë në këtë ndeshje", thuhet në njoftim.

Më tej theksohet se spartakiada 2024 u cilësua si një festë e madhe për rininë e "cila duhet të kultivohet me vlerat e shpirtit të garës, ndershmërisë konkuruese dhe me sportin si pararojë e një shëndeti të mirë fizik e psikologjik".

Ky aktivitet u organizua nga Bashkia e Shkodrës nën kujdesin e kryetarit të bashkisë, Benet Beci, si dhe nga Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar Shkodër.

Gjithashtu në njoftim theksohet se një vlerë e shtuar e këtij organizimi ishte edhe pjesëmarrja e të gjitha shkollave të Bashkisë Shkodër./aa