Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, KOKSH, Fidel Ylli së bashku me sekretarin e përgjithshëm të KOKSH, Gerti Shima zhvilluan një takim me drejtoreshën e Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit në bashkinë e Tiranës, Anisa Ruseti, në kuadër të bashkëpunimit të ndërsjellë mes dy institucioneve.

Fillimisht Ylli bëri një prezantim të detajuar të institucionit që ai drejton, që nga organizimi për projektin e “Ekipeve Sportive në Shkolla”, te bursat olimpike, “Qendra Olimpike” dhe përgatitjet për “Lojërat Olimpike Paris 2024”, si edhe rëndësia e marrjes me sport.

Ylli vlerësoi gjithashtu kontributin e Bashkisë së Tiranës në veçanti, si mbajtëse e titullit “Qyteti Europian i Sportit për vitin 2023”, por edhe bashkitë e tjera të vendit, që me mbështetjen e tyre po e fuqizojnë edhe më shumë projektin Ekipet Sportive në Shkolla, që po fillon të japë rezultatet e para.

Ruseti vlerësoi maksimalisht arritjet e KOKSH, duke e marrë si një shembull të shkëlqyer në angazhimet dhe projektet që realizon./ata