Kuvendi po zhvillon sot seancën plenare, teksa kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi ka kërkuar tërheqjen nga rendi i ditës të pr/ligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10129, datë 11.5.2009, “Për gjendjen civile””, të ndryshuar.
Deputetët miratuan tërheqjen nga rendi i ditës të këtij pr/ligji.
Gjithashtu, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla nuk pranoi mocionin me debat të kërkuar nga opozita për miratimin në seancë të pr/rezolutës “Për mbrojtjen e gazetarëve nga dhuna e çdo lloj forme, fundin e pandëshkueshmërisë ndaj dhunuesve dhe njohja e rolit të pazëvendësueshëm të rolit të medias së pavarur”.
Nikolla u shpreh se, “ky mocion nuk pranohet, pasi nuk është në përputhje me parashikimet e rregullores”.
“Konferenca e Kryetarëve vendos vetëm datën”, theksoi Nikolla.
Ndërsa deputetja e PD, Ina Zhupa ka kundërshtuar këtë vendim të Nikollës, duke u shprehur se “në asnjë moment të rezolutave në Republikën e Shqipërisë nuk ka asnjë detyrim që duhet të jetë veprimtari e Këshillit të Ministrave”.
Deputetët më pas rrëzuan me shumicë votash kërkesën për mocionin me debat të kërkuar nga opozita për miratimin në seancë të pr/rezolutës “Për mbrojtjen e gazetarëve nga dhuna e çdo lloj forme, fundin e pandëshkueshmërisë ndaj dhunuesve dhe njohja e rolit të pazëvendësueshëm të rolit të medias së pavarur”./ata