Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka u shpreh sot se Partia Demokratike do të kërkojë ngritjen e Komisionit të së Vërtetës, i cili do të zbardhë lidhjet e politikës me krimin.
Në një konferencë për mediet, nga Kryesia e Kuvendit, Paloka tha se, Komisioni i së Vërtetës do të zbardhë për shqiptarët të gjitha lidhjet e politikës me krimin e organizuar.
Paloka gjithashtu tha se, Partia Demokratike do të vendosë në mbledhjen e grupit parlamentar, që do të zhvillohet në orën 15:00, raportet që do të kenë me Kuvendin, pas burgosjes së Ervin Salianjit.
Edi Paloka tha se, me përjashtim të tij dhe deputetes Jorida Tabaku, asnjë nga ligjvënësit e PD-së, nuk ka marrë pjesë në mbledhjet e Komisioneve.
“Vendimi do të merret në mbledhjen e grupit parlamentar, por sot në mbledhjen e Komisionit për Çështjet Europiane, unë dhe deputetja Tabaku morëm pjesë dhe mbajtëm qëndrimin tonë për sa i takon procesit të integrimit. Ne nuk qëndruam, bëmë publik qëndrimin e opozitës dhe u larguam”, tha Paloka./ata