Policia e Tiranës njoftoi sot se ka arrestuar dy persona, një punonjëse të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe një gazetar, si dhe ka shpallur në kërkim një person të tretë, edhe ky punonjës i AMP, pasi akuzohen për mashtrim me të dhënat kompjuterike.
Në një njoftim për mediet, bëhet me dije se “është finalizuar operacionin policor të koduar “Antonimet”. Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit; R. O., 34 vjeçe, punonjëse në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore në Drejtorinë Rajonale Durrës; E. H., 35 vjeç, me profesion gazetar. Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi K. S., 39 vjeç, me detyrë shef sektori në Drejtorinë e Përgjithshme të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Gjatë hetimeve të kryera ka rezultuar se këta tre shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ndryshonin dhe fshinin të dhëna kompjuterike në formate teksti, pa të drejtë, për krijimin e të dhënave të rreme ndaj disa titullarëve të institucioneve të ndryshme, duke denigruar figurën e tyre, me qëllim paraqitjen dhe përdorimin e tyre si autentike, në një faqe interneti”.
Policia bën të ditur se në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 2 celularë. Vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./ata