Nga Eva Mertiri

Sipas Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës(IUCN), Zonat e Mbrojtura përfshijnë hapësira “të menaxhuara përmes mënyrave ligjore ose metodave të tjera efektive që sigurojnë mbrojtjen afatgjatë të natyrës dhe shërbimeve mjedisore të ekosistemeve që lidhen me të, si dhe vlerave kulturore”. Përvoja ndaj këtyre zonave te ne, sidomos ajo e viteve të fundit, flet qartë për një fakt: Përkujdesja, mirëmenaxhimi i tyre mund të sfidojnë gjithçka që kërkon të rëndojë ekosistemet, burimet përkatëse natyrore. Pra, fjala është për një vlerësim real, ndërkohë që këto zona, sikurse njihet, nuk kanë mbetur në vendnumëro, janë zgjeruar, si përshembull përmes rritjes së numrit të parqeve kombëtare, kujdesit ndaj monumenteve të natyrës, pejsazheve të tjera: Parku Kombëtar i Malit të Dajtit, ai i Butrintit, Prespës, Karavastasë, i Llogarasë, Mali i Tomorrit, Alpet e Shqipërisë apo monumente të tjerë të njohur të natyrës, si pyje me drurë të ndryshëm, shpella, kanione, ujëvara, liqene karakteristikë…

Pra, kjo trashëgimi natyrore e vendit tonë, me status të veçantë si zonë e mbrojtur, duke u rritur në numër, përkrah përpjekjeve me investime nga ana e shtetit, aty-këtu dhe atyre private, nuk mund të mos tërheqë vëmendjen. Sot, këto zona përfshijnë 21 për qind të sipërfaqes së përgjithshme në vend. Një tregues konkret,  përparësor ndaj vendeve të tjera të rajonit tonë. Në funksion të tyre, të një bashkëjetese model me natyrën, për ruajtjen e ekosistemeve dhe specieve, flasin dhe amendimet e miratuara brenda atyre linjave të paprekshme. Ndryshe nuk mund të ndodh, përderisa Shqipëria është në rrugën e duhur të anëtarësimit të saj në Bashkimin Europian. Harmonizimi i legjislacionit tonë me BE-në për probleme të mbrojtjes së mjedisit ka qënë dhe mbetet në qendër të vëmendjes. Acquis i BE-së në këtë fushë shtrihet në akte të rëndësishme ligjore për një mjedis sa më të mirë, parakusht i njohur dhe ky për aderimin e Shqipërisë në BE. Edhe risitë e amendimit të Ligjit për Zonat e Mbrojtura janë të ndryshme, për të përmirësuar më tej situatën në këto zona, larg çdo lloj abuzimi.

Takimet e këtyre ditëve me Komitetet e Menaxhimit për Zonat e Mbrojtura po qartësojnë më mirë punën ndaj këtyre të fundit, duke rritur dhe nivelin e informimit rreth këtyre destinacioneve të rëndësishme, për një frekuentim në çdo stinë të vitit. Ose, konsultimet me publikun për Planin e Menaxhimit për Parkun e Vjosës, organizuar nga Agjencia Kombëtare e këtyre Zonave dhe ekspertët e IUCN-së(International Union for Conservation of Nature), që i përkushtohet ruajtjes së natyrës, përdorimit të burimeve natyrore. Pra, gjithë puna synon në një menaxhim, monitorim më të mirë për atraksionet turistike. Vitin e kaluar, por sidomos gjatë këtyre muajve nuk mund të mos vihet re një interesim tepër i dukshëm i qindra vizitorëve të huaj dhe vendas për të njohur dhe eksploruar në këto zona. Prandaj dhe Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, si institucion shtetëror qendror, që përgjigjet për to, ka shfrytëzuar të gjitha  rrugët për t’i paraprirë kësaj veprimtarie e për ta çuar atë në perfeksion. Ka një bashkëpunim më të afërt dhe konkret me bashkitë përkatëse dhe komunitetin në këto zona. Dhe kjo, jo sa për të kaluar radhën apo thjesht shënuar për evidencë. Nuk është fjala as për ekskluzivitet të disa njerëzve apo grupimi të caktuar, por për vënien në lëvizje të të gjitha hallkave, si një trupë në shërbim të një beteje të rëndësishme të përbashkët. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Agjencia e mësipërme e saj, 12 administratat rajonale për këto zona, përmes këtij ingranimi, pune për ndërgjegjësimin e strukturave përkatëse, duke përfshirë dhe shkollat, zgjerimit të rrethit të aktivistëve, përkrahjes dhe bashkëpunimit sidomos me organizatat mjedisore të shoqërisë civile, kanë bërë që impakti të jetë i dallueshëm. Dhe ky- në një qasje më të madhe ndaj mjedisit, në frenimin e atyre dukurive, si prerjet e paligjshme të drurëve apo abuzimeve përmes përpjekjeve për transformim të pyllit për shkaqe vendbanimi a bujqësore. Në këtë mënyrë, siç po tregon dhe realiteti i sotëm, promovimi i turizmit është inkurajuar fuqishëm.

Dhe më tutje. Të marrim vetëm Tiranën. Parku Kombëtar i Dajtit, nga parqet më të bukur të vendit, është bërë nga më të frekuentuarit dhe më të preferuarit për të huajt dhe vendasit. Nëse nuk do t’i qëndrohej pranë atij, pa krijuar ndërkohë gjithë lehtësitë, vështirë se do të prekeshin nga afër bukuritë natyrore të tij. Turistët për të vizituar atë mund të përdorin dhe teleferikun, duke shijuar në “fluturim” pamje mahnitëse natyrore. Këta të fundit i pret në Park një Qendër e bukur, e ngritur posaçërisht për t’i shërbyer komunikimit, një Muze i vogël, Park-vizitorë, ku pasqyrohet flora dhe fauna në këtë mjedis. Parku tjetër Natyror “Mali me Gropa-Bizë-Martanesh”, me gropa të njohura karstike, hinka etj., me një florë të pasur, sidomos bimë endemike apo fauna me lloje të larmishme gjitarësh. Një rajon i tërë ky me habitate natyrorë, duke u bërë një hapësirë e tërë ekoturistike me vlera jo vetëm natyrore, por dhe të sferës së kulturës dhe historisë. Mund të ndaleshim dhe në monumentet e natyrës, si Shpella e Pëllumbasit, e Shutresë, Shkalla e Tujanit, Gryka e Murdharit, Gryka e Skoranës etj. Folëm për Tiranën, por mund të flisnim kështu edhe për rrethet dhe qarqet e tjerë të vendit. Me të gjitha këto vizitori i huaj apo vendas “takon”, ende pa u futur në to, tabelat informuese, me njerëzit në terren, me rolin e njohur të “rengersave” apo të trupave mbrojtëse.

Kjo përkujdesje të bën optimist dhe të rrit besimin që Zonat Mbrojtëse dhe më tej të shtojnë atraksionin për vizitorët e shumtë, të huaj dhe vendas, që e gjallërojnë turizmin jo vetëm në periudhën e pushimeve verore, por dhe gjatë dymbëdhjetë muajve të vitit. Tabllo që duhet inkurajuar vazhdimisht./Tema