Organizata ndërkombëtare e shoqërisë civile me qendër në Britani të Madhe "Save the Children" tha se Izraeli me sulmet e tij në qytetin Rafah në jug të Rripit të Gazës "injoron haptazi" vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për "ndalimin e menjëhershëm" të sulmeve në Rafah.
Nga platforma e medias sociale X e "Save the Children", u bë një deklaratë lidhur me sulmet e Izraelit në Gaza të cilat kanë shkaktuar një katastrofë të madhe humanitare që nga 7 tetori e deri më tani.
Në sulmet e Izraelit në Rafah brenda 4 ditëve janë vrarë të paktën 66 persona, përfshirë në mesin e tyre edhe fëmijë, thuhet në deklaratën në të cilën shtohet se "Vendimet e GJND-së po injorohen kategorikisht në mënyrë të hapur. Armëpushim tani".
Gjithashtu në deklaratë tërhiqet vëmendja se sulmet izraelite janë shënuar pas vendimeve për masat që GJND-ja mori më 24 maj duke kërkuar që Izraeli të ndalojë menjëherë sulmet e tij në Rafah.
Agjencia e OKB-së për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA) më 28 maj njoftoi se një milion palestinezë janë zhvendosur në tre javët e fundit në Rafah që është në objektivin e ushtrisë izraelite./aa