Organizata joqeveritare me seli në SHBA "World Central Kitchen" (WCK) njoftoi se ka pezulluar operacionet në Rafah të Rripit të Gazës.

"Përballë operacioneve izraelite në Rafah, familje të panumërta po detyrohen të ikin edhe një herë. Sulmet e vazhdueshme na kanë detyruar të ndalojmë punën në kuzhinën tonë kryesore në Rafah dhe të zhvendosim shumë nga kuzhinat e komunitetit tonë më në veri. Situata është e tmerrshme, por ekipi palestinez i WCK-së, i ndikuar drejtpërdrejt nga lufta, po shfaqet çdo ditë për të mbështetur fqinjët në nevojë", njoftoi organizata WCK në X.

"Dje kemi ofruar pothuajse 100 mijë vakte dhe do të rrisim kapacitetin këtë javë pasi 58 kamionë tanë me ndihma kanë hyrë në Gaza që nga e diela", shtoi WCK.

Organizata kishte pezulluar operacionet e saj në Gaza pas vrasjes në një sulm izraelit të shtatë punonjësve të saj humanitarë, përfshirë tre shtetas britanikë, një australian, një shtetas polak, një shtetas i dyfishtë amerikano-kanadez dhe një palestinez.

Ky sulm izraelit shkaktoi thirrje për përgjegjësi nga e gjithë bota, duke kundërshtuar pretendimin e Izraelit se sulmi ishte një "gabim" dhe një rast "i identifikimit të gabuar".

Në fund të prillit, shefi ekzekutiv i WCK-së, Erin Gore tha se situata humanitare në Gaza "mbetet e rëndë" dhe njoftoi rifillimin e operacionit "me të njëjtën energji, dinjitet dhe fokus në ushqimin e sa më shumë njerëzve"./aa