Policia e Kavajës ka arrestuar 3 persona, të akuzuar se grabisnin banesat e emigrantëve në qytet. Lajmin e dha vetë drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, në një konferencë për mediat.
“Pas një hetimi disamujor, u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi me prova ligjore i 24 vjedhjeve në banesa, të ndodhura në rrethin e Kavajës, gjatë vitit 2022 dhe 2 muajve të parë të vitit 2023. Gjatë këtij operacioni u vunë në pranga 3 shtetas, 2 prej tyre të dënuar më parë për vjedhje, si dhe u sekuestruan sendet e vjedhura. Po gjatë këtij operacioni, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, u sekuestruan 2 armë zjarri dhe municion luftarak”, tha Vocaj.
Të arrestuarit
– E. T., 21 vjeç dhe E. Q., 28 vjeç, të dy të dënuar më parë për vjedhje
-E. M., 32 vjeç
“Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nga muaji qershor i vitit 2022 deri në muajin shkurt të vitit 2023, kanë kryer vjedhje në banesa të ndryshme, në rrethin e Kavajës, kryesisht në banesat e emigrantëve. Nga tërësia e veprimeve hetimore ka rezultuar se këta shtetas janë autorë të 24 rasteve të vjedhjeve në banesa, ku kanë marrë sende me vlerë, orendi, vegla pune dhe pajisje të tjera elektroshtëpiake. Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se shtetasit E. T. dhe E. Q. bashkëpunonin me shtetasin E. M., për të realizuar vjedhjet dhe për të nxjerrë përfitime prej tyre”, tha Vocaj.