Qendrat Komunitare po shërbejnë si modele të suksesshme në dobi të komunitetit.
Drejtoresha e USAID/Albania Mischere Kawas, përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së në Shqipëri, Monica Merino, dhe kryetari i bashkisë, Pjerin Ndreu, vizituan Qendrën “Fuqizojmë Komunitetin”, Lezhë.
Të shoqëruar nga stafi i Qendrës dhe përfaqësues nga Drejtoria e Shërbimit dhe Kujdesit Social në Bashkinë Lezhë, ata panë nga afër ambientet e reja të Qendrës dhe shërbimet që ofrohen për komunitetet në nevojë në këtë Qendër, të cilët përballen me sfida të ndryshme.
Që prej hapjes së saj në shkurt 2024, Qendra “Fuqizojmë Komunitetin” Lezhë, u vjen në ndihmë 110 individëve në nevojë të cilët marrin shërbime të specializuara si: Mbështetje për viktimat e dhunës në familje; Shërbime psikologjike për të gjithë individët në nevojë; Shërbime të specializuara në qendër dhe lëvizëse (fizioterapi dhe logopedi për personat me aftësi të kufizuar dhe shërbim psikologjik sipas nevojës).
Gjithashtu aty zhvillohen edhe programe passhkollore për fëmijët; aktivitete për të rinjtë si dhe projekte për fuqizimin ekonomik të grave dhe burrave në nevojë dhe ndërgjegjësim dhe advokim për të adresuar problematika të komunitetit, përfshirë dhunën me bazë gjinore.
Qendra “Fuqizojmë Komunitetin” Lezhë është ngritur në kuadër të programit “Fuqizojmë Komunitetin”, si një iniciativë e UNDP, financuar nga USAID dhe zbatuar në partneritet me Bashkinë Lezhë dhe organizatën “Të Ndryshëm & Të Barabartë”./ata