Në Spitalin Psikiatrik “Ali Mihali” Vlorë, vijojnë punimet për rehabilitimin tërësor të dy godinave për të sëmurët kronikë.

Projekti i rehabilitimit po kryhet me mbështetjen e buxhetit të shtetit, për ofrimin e shërbimeve në ambiente të transformuara dhe bashkëkohore.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu vizitoi nga afër punimet që po kryhen në këtë spital.

“Po rikonstruktojmë dy godinat e Spitalit Psikatrik të Vlorës, atë të sëmurëve kronikë burra dhe të sëmurëve kronikë gra. Punimet kanë nisur në tetor 2023 dhe sipas ecurisë parashikohet të kemi një përfundim brenda afatit”, tha Koçiu.

Ministrja Koçiu u shpreh se “godina e re dykatëshe për pacientet-gra shënon një tjetër hap për fuqizimin e kapaciteteve të specializuara të shëndetit mendor, si dhe për të shtuar gamën e shërbimeve shëndetësore”.

“Në këtë strukturë rehabilituese janë dyfishuar ambientet dhe krijuar dhoma të posaçme edhe për stafin psiko-social e atë mjekësor”, tha Koçiu.

Fokusi i punës së MSHMS-së është parandalimi, diagnostikimi, trajtimi dhe ofrimi i shërbimeve të shëndetit mendor nëpërmjet përmirësimit të programeve mbështetëse socio-shëndetësore edhe pranë Kujdesit Shëndetësor Parësor./ata