Ministri i Brendshëm Taulant Balla prezantoi sot në Kuvend, nismën ligjore për krijimin e një sistemi unik adresash.

Balla tha se këto ndryshime të propozuara nga qeveria i shkurtojnë kohë qytetarëve dhe i vijnë në ndihmë qoftë administratës, qoftë bizneseve, qoftë dhe turistëve të cilët do të kërkojnë një shërbim apo banesën ku kanë rezervuar.

Balla në fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit, tha se ndryshimet ligjore në ligjin për “sistemin e adresave në Shqipëri, është një prej dy ligjeve të një pakete që ka të bëjë me sistemin e adresave dhe rregullime të tjera në gjendjen civile. Ligji për gjendjen civile do miratohet javën e ardhshme për të marrë në konsideratë një sugjerim të pranuar e të ardhur nga kolegët e opozitës dhe për ta adresuar në seancën e ardhshme”.

Balla tha se ky pr/ligj që miratohet sot në Kuvend zgjidh kaosin 30-vjeçar sa i përket adresave në Republikën e Shqipërisë. Balla tha se procesi ka nisur shumë vite më parë, por mazhoranca e djeshme i la në rrugë projektet për këtë qëllim.

“Ajo që duhej rregulluar ishte unifikimi dhe standardizimi i sistemit të adresave në të gjithë Shqipërinë, për të patur mundësinë që çdo banesë, çdo ndërtesë, në këtë vend të ketë një numër unik, çdo rrugë, çdo shesh, çdo bulevard të ketë një emërtesë. Kjo përpjekje, kjo ndihmë, kjo asistencë ka nisur prej shumë vitesh”, tha Balla.

“Prej viti 2004 dhe më pas me rotacionin e ndryshimin e qeverisë, falë mbështetjes së BE, OSBE, KiE etj, u paguan shumë para, miliona dhe u krijua në fakt një bazë të dhënash e parë i të dhënave gjeografike, fotografime ortografike dhe u krijua, u mundua të krijohej një regjistër. Por, siç ishte zakoni i keq i juaji në pushtet që i linit rrugët, rrugëve, punët rrugëve, projektet rrugëve, latë edhe këtë punë rrugëve. U harxhuan mbi 10 milionë euro. U bënë fotografimet dhe rezultoi që në vende të ndryshme, fotografimet ishin bërë në mënyrë të ndryshme dhe këto nuk përputheshin dot. Më e bukura është që në 2011 ta shkrinit këtë njësi dhe të dhënat e përfituara ti hidhni në plehra. Ky ka qenë kontributi juaj i vyer, i pamohueshëm për të kontribuar sa kohë ishit në qeverisjen tuaj të dytë, në Saliun e dytë, sa i përket sistemit të adresave”, shtoi Balla.

Sipas tij, “në bazë të axhendës digjitale të Shqipërisë, nisi një punë e mirë. U hodhën themelet e para të këtij regjistri që do të unifikojmë me këtë ligj. Sa i përket mundësimit të përdorimit, së pari, nga të gjitha njësitë e qeverisjes vendore të një sistemi unik sa i përket menaxhimit të adresave dhe mbi të gjitha të lehtësohen shërbimet publike për qytetarët dhe për bizneset”.

“Puna nisi në vitin 2017 me angazhimin personal të kryeministrit Edi Rama, të Ministrisë së Brendshme në bashkëpunim edhe me OSHEE, për të bërë të mundur identifikimin dhe përditësimin e të gjitha të dhënave në të gjithë territorin e vendit. Nga kjo punë në regjistrin e gjendjes civile ka sot 2.6 milionë shtetas me adresë sipas standardit të miratuar ligjor”, u shpreh Balla.

Ai tha se “kjo ka lehtësuar ndjeshëm përmirësimin e të dhënave dhe saktësinë e informacionit të adresave. Me ndryshimet e propozuara sot, e që unë besoj e shpresoj që t’i votojë edhe opozita, do të shkojmë edhe më tej, të kemi një regjistër unik adresash në rang vendi, tek i cili do të kenë detyrimin ligjor që ti referohen të gjitha institucionet. S’ka më që OSHEE të ketë regjistrin e vetë, bashkia të vetin, e kadastra të vetin. Flasim për standarde të unifikuara të adresave në rang vendi. Regjistri aktual unik është në fakt në funksion. Aktualisht kushdo prej jush, shkoni në faqen www.adresari.mb.al dhe mund të shikoni punën e realizuar dhe, t’ju them të drejtën, jemi duke punuar të kemi një ndërfaqe të re me interaktive, që do të jetë gati për pak javë. Dhe do t’i kërkoja qytetarëve që nëse kërkoni një adresë, shkoni tek www.adresari.mb.al, shfrytëzojeni këtë mundësi për të gjetur çdo lloj adrese në territorin e Shqipërisë. Majft më me atë historinë, ‘alo, te Pallati me Shigjeta, kthehu nga mbrapa, aty është një kioskë, aty është një hyrje pallati’. S’mund të jenë adresat e një vendi anëtar të BE kështu. Çdo banesë do të ketë një kod 18-shifror, përmes këtij kodi 18-shifror dhe përmes bashkëpunimit me aplikacionet orientuese si Google Map, me të cilën do të bashkëpunojmë shumë shpejt”.

“Nëse deri para pak kohësh ishim nga vendet më të prapambetura në Ballkan për sistemin e adresave, tanimë do të jemi një vend, i pari në Ballkan, sa i përket këtij sistemi, këtij regjistri unik adresash me kod unik. Prandaj të nderuar deputetë, dua që ta ndaj me ju faktin që objektivat e këtij pr/ligji janë tepër të rëndësishme, mbyllin një faqe të tejzgjatur të tranzicionit, shkurton kohën e institucioneve shtetërore për ofrimin e shërbimit, për bizneset, qytetarët. Shqipëria po bëhet destinacion i rëndësishëm turistik, ku një pjesë e vizitorëve që përmes huamarrjes së shtëpive kanë vështirësi me gjetjen e shtëpisë së prenotuar, përmes këtij sistemi, vendosjes së kodit, qoftë tek smartfone apo te taksisti, mbërrini në kohë më të shkurtër dhe pa probleme në adresën që ke si destinacion. Çdo kontratë uji apo me OSHEE do të mbajë kodin unik të adresës. Kjo do na ndihmojë edhe në eliminimin e pasaktësive, dyfishimin, që shpesh herë shkaktojnë vonesa për qytetarët dhe biznesin. Emërtimi i rrugëve, një tjetër hall që rregullohet dhe duhet zgjidhur. Ne e kemi zgjidhur pjesën që lidhet me detyrimin, të zgjidhim një problem që lidhet me vendimmarrjen e vendosjes së emërtesave të rrugëve. Është një detyrim i bashkive, ku kemi rritur penalizmin ndaj kryetarëve të bashkive për moszbatim të ligjit sa i përket detyrimit që kanë njësitë e qeverisjes vendore për emërtesën e rrugëve. Ne po rrisim penalizmin, sepse kjo punë nuk është bërë. Unë nuk njoh forcë tjetër të ushtrimit të forcës së ligjit, përveçse ushtrimit të forcës së ligjit.

Kodi unik do t’i ndihmojë qytetarët të referojnë lehtësisht adresën e tyre. Është alphanumerik. Do të përmbajë 8 elementë kryesorë që referojnë adresën, pastaj duke përfshirë aty brenda bashkinë, njësinë administrative, kodin postar, bulevardin, rrugën dhe sheshin, numrin e ndërtesës dhe numrin e apartamentit, brenda kodit, në një. Propozimet tona janë 100 % bio, në interes të qytetarëve. Sot ky është test për ju. Po ashtu do të ndihmojë ky sistem dhe për shpërndarjen e nxënësve nëpër shkolla.

Çdo kryetar që nuk zbaton në kohë përditësimin e adresave do të përballet me masa, sanksione administrative. Për çdo segment rrugor të paemërtuar, për çdo ndërtesë të paetiketuar, janë dhjetëfishuar gjobat. Ne kemi ndryshuar sistemin e gjobave, vendoset gjoba, për çdo rrugë të paemërtuar kryetari i bashkisë do të marri gjobë. Gjobat 10-fish”, përfundoi Balla./ata