Punëdhënës nga Britania e Madhe dhe Shqipëria do të jenë pjesë e panairit “Investo në Veri”, për të informuar të interesuarit që duan të punojnë dhe arsimohen në Kukës.
Ambasada e Britanisë së Madhe në vendin tonë fton të gjithë të interesuarit të marrin pjesë në panairi “Investo në Veri”, i cili është çelur sot në zonën e “Turizmit të vjetër”, në qytetin verilindor.
Panairi e ka nisur rrugëtimin e tij më 4 mars në Dibër, vijon sot në Kukës, ndërsa etapën e radhës do ta ketë në kryeqytet, pranë Piramidës së Tiranës, më datë 11 mars. Ai ka si qëllim të informojë dhe krijojë ura bashkëpunimi mes të interesuarve për të punuar dhe për t’u arsimuar në qarkun e Kukësit.
“Nëse po kërkoni mundësi arsimimi ose punësimi në zonën e Kukësit apo në zona të tjera të Shqipërisë, ejani sot, duke nisur nga ora 10:30, në panairin “Investo në Veri”, i financuar nga Britania e Madhe, ku disa nga punëdhënësit më të mëdhenj britanikë dhe shqiptarë do të flasin se si të përfitoni sa më shumë nga mundësitë në rritje në Kukës dhe në mbarë Shqipërinë”, njofton Ambasada e Britanisë së Madhe në Tiranë.
“Bashkohuni me Dhomën Britanike të Tregtisë në Shqipëri, tek Hotel ‘Turizmi i Vjetër’ dhe bëhuni pjesë e panairit për të mësuar më shumë mbi vendet e punës, ofertat e tregut dhe mundësitë e reja në arsim”, shprehet Ambasada e Britanisë së Madhe në Shqipëri./ata