Sipas mediave izraelite, ushtria izraelite do t'u japë më shumë mitralozë kolonëve të paligjshëm në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Kanali televiziv izraelit "Channel 7" raportoi se "ushtria izraelite njoftoi se do të ndajë armë të gjata shtesë (mitralozë) në Bregun Perëndimor".

Plani pason raportimet për të shtëna në vendbanime të paligjshme pranë qytetit Tulkram dhe vrasjen e dy ushtarëve izraelitë pranë qytetit Nablus, të dy incidentet në veri të Bregut Perëndimor.

"Një përfaqësues i Komandës Qendrore në ushtrinë izraelite, në një takim të Komitetit të Knesset-it të Judesë dhe Samarisë (Bregu Perëndimor) njoftoi se për të rritur sigurinë, armë të gjata do t'u ndahen banorëve që nuk janë anëtarë të njësisë rezervë", tha kanali izraelit.

Në fund të vitit të kaluar, ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, filloi një fushatë për të armatosur izraelitët, përfshirë kolonët e paligjshëm në Bregun Perëndimor, duke pretenduar se ishte për të siguruar mbrojtjen kundër sulmeve palestineze.

Armët u shpërndanë midis kolonëve të paligjshëm dhe ushtarëve rezervë në ushtrinë izraelite, por nuk është specifikuar sasia e armëve të shpërndara.

Ndërkohë, kryetari i Komitetit të Judesë dhe Samarisë, njëherësh anëtar i Knesset-it nga Partia e Sionizmit Fetar e ekstremit të djathtë, Tzvi Sukkot tha se "vendimi për të shpërndarë më shumë armë në vendbanimet e Judesë dhe Samarisë është domethënës dhe do të forcojë ndjenjën e sigurisë".

Në një deklaratë për "Channel 7", Sukkot u bëri thirrje kolonëve që dëshirojnë të marrin pjesë në mbrojtjen e vendbanimit të tyre të paraqesin aplikime për mbajtjen e armëve.

Vlerësohet se ka rreth 720 mijë kolonë të paligjshëm izraelitë në Bregun Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor./aa