Ministri italian i Punëve të Jashtme, Antonio Tajani ka përjashtuar dërgimin e trupave në Ukrainë dhe përdorimin e armëve italiane për të goditur objektivat brenda Rusisë.

"Nuk është e mundur që Italia të dërgojë ushtarë në Ukrainë si dhe të përdoren armët tona në Rusi", tha Tajani në prag të takimit jozyrtar të ministrave të Jashtëm të NATO-s në kryeqytetin çek Pragë.

Shefi i diplomacisë italiane theksoi se ata do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën, megjithatë tha se sipas kushtetutës së Italisë, është e pamundur të lejohet përdorimi i armëve të saj për të goditur brenda Rusisë dhe për të vendosur trupa në Ukrainë.

"Ne nuk po luftojmë kundër Rusisë. Ne po mbrojmë Ukrainën. Kjo nuk është e njëjtë", tha ministri italian.

Më herët, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se Ukraina ka të drejtën e vetëmbrojtjes dhe kjo përfshin gjithashtu "të drejtën për të goditur objektiva legjitime ushtarake brenda Rusisë"./aa