Ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau në rrjetet sociale një video dedikuar Muzeut të Fotografisë “Marubi” në Shkodër. Ministri vlerësoi këtë muze si unik në llojin e tij dhe absolut në kapjen e historisë nëpërmjet lenteve.
Blendi Gonxhja ftoi publikun të njihet me një nga thesaret e trashëgimisë kulturore shqiptare, duke theksuar se, çdo imazh mbart një histori dhe çdo shkrepje është një moment i ngrirë në kohë.
Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” u themelua për të promovuar arkivën fotografikë të krijuar nga dinastia e fotografëve Marubi dhe bashkëzhvillues të imazheve në Shkodër. Në qendër të këtij projekti muzeal është trashëgimia e “Photo-Studdio Marubbi” e themeluar nga Pietro Marubbi, një piktor dhe arkitekt italian.
Studioja e familjes Marubbi u mirëmbajt nga gjeneratat e ardhshme përgjatë shekullit XX, e më tej pasardhësit e tij u detyruan ta shpërbëjnë studion në favor të anonimitetit kolektiv komunist.
“Photo Studio Marubbi” dokumentoi jetët e banorëve të Shkodrës, peizazhet rajonale, mjedisin e ndërtuar, ngjarjet historike dhe zakonet tradicionale. Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi u inagurua më 2016, e kësisoj rriti njohjen e vlerës së trashëgimisë të arkivës së studios dhe promovon dialogun artistik midis traditës dhe modernitetit, të shkuarës dhe të tashmes./ata