“Ditari i një kinoregjisori” është libri i ri i përgatitur për botim nga Ilir Keko, ku përmblidhen kujtimet e atit të tij, kineastit Endri Keko, Nderi i Kombit, sjellë me rastin e 100-vjetorit të tij të lindjes.
Shënime e dëshmi të vyera nga jeta e Endri Kekos, të ilustruara me foto, studimet në Moskë dhe xhirimi i dokumentarëve e kinokronikave në Kinostudio, përbëjnë një material studimi të gjerë e me vlerë, mbi fillimet e kinematografisë në Shqipëri dhe zhvillimin e saj, deri në vitet ’80, por edhe mbi familjen Keko, një familje artistësh e cila dha shumë për filmin dhe artin shqiptar.
Me rastin 100-vjetorit të lindjes së kineastit, Komisioni i përhershëm për art e trashëgimi pranë Akademisë së Shkencave, në bashkepunim me Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, organizuan eventin “Ditari i një kinoregjisori”.
Promovimi i librit dhe kumtesat u mbajtën nga: Piro Milkani, Ylli Pepo, Genc Përmeti, Paskal Milo, Ben Andoni, Aleksandër Çipa, Mevlan Shanaj dhe Shaban Sinani, ndërsa veprimtaria u moderua nga Marinela Ndria, drejtoreshë e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit.
Endri Keko lindi në shtetin Maine (SHBA) në një familje korçare, më 31 maj 1924. U kthye në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe në vitin 1950, do të dërgohej në Moskë për t’u përgatitur si regjisor filmi dokumentar. Me kthimin në atdhe në vitin 1952, fillon punë në Kinostudion “Shqipëria e Re”, duke hyrë në histori si një nga themeluesit e kinematografisë shqiptare.
Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ruan mbi 90 dokumentarë të realizuar nga regjisori Keko, të mbushura me materiale arkivore që dëshmojnë njerëz e ngjarje të kohës, peizazhe të natyrës apo epope përmes poemave kinematografike.
Fitues i Kupës për filmin më të mirë dokumentar në Festivalin e dytë të Filmit Shqiptar (1977) dhe Festivalin e tretë të Filmit Shqiptar (1979), fitues i Çmimit të Nderit në Festivalin e Karlovy Varyt (Çekosllovaki – 1952), Diplomës së Nderit në Festivalin e Moskës (BRSS – 1959), Medaljes së Bronztë në Festivalin e Parisit (Francë – 1962) dhe Diplomës së Nderit në Festivalin e Lajpsigut (DDR – 1962), fitues i Çmimit të Republikës në vitet 1959, 1970 dhe 1979, fitues i shumë çmimeve në konkurset letrare për skenarë filmash, Endri Keko vazhdon të konsiderohet edhe sot personaliteti më i spikatur dhe më i vlerësuar i gjinisë së filmit dokumentar shqiptar./ata