Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) në kuadër të programit “Kinemaja në rajone” shfaqi në mjediset e Qendrës Rinore “Atelie” në Shkodër, filmin “Tea dhe Kejsi”.

Filmi me metrazh të shkurtër “Tea dhe Kejsi”, i dy regjisoreve të reja, Jonida Koçi dhe Kristina Rushiti, sjell historinë e dy studenteve të kinematografisë, të cilat po punojnë për filmin që duhet të realizojnë në mbyllje të vitit akademik. Secila me mendime të ndryshme mbi temën se çfarë e bën një film të mirë. Njëra është e fokusuar tek përmbajtja dhe tjetra fokusohet tek teknika, por pas një udhëtimi në Kalanë e Ndroqit, të dyja vajzat zbulojnë më shumë mbi filmin, por dhe mbi miqësinë.

Ky aktivitet u organizua në kuadër të programit “Kinemaja në rajone”, në bashkëpunim me Këshillin Vendor të Rinisë Shkodër. Pas shfaqjes, të rinjtë pjesëmarrës morën pjesë në një diskutim të shkurtër, duke ndarë mesazhe të vlefshme./ata