Më 30 dhe 31 maj në Pragë të Çekisë janë mbledhur ministrat e Jashtëm të vendeve të NATO-s për të vendosur se kush duhet ta udhëheqë aleancën transatlantike në vitet e ardhshme. Jens Stoltenberg i Norvegjisë i cili mori detyrën në vitin 2014, do të largohet nga pozita si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s më 1 tetor. Aleatët pothuajse janë dakordësuar për një emër, por thuhet se ende ka pengesa në rrugë. Ndërkohë, vendimi i tyre vjen në një moment kyç për aleancën më të madhe ushtarake, pasi ajo po përballet me kërcënimin e një Rusie gjithnjë e më luftarake dhe një presidencë të dytë nga Donald Trump në horizont.
Si e zgjedh NATO Sekretarin e saj të Përgjithshëm?
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s është nëpunësi më i lartë civil i aleancës dhe zgjidhet me konsensus të anëtarëve të paktit ushtarak. Historikisht, ai kryeson komitetet kryesore të NATO-s, vepron si zëdhënës dhe rekruton staf ndërkombëtar. Në praktikë, përzgjedhja e tij bëhet përmes kanaleve diplomatike joformale, por gjetja e një kandidati të përshtatshëm nuk është e lehtë.
Kush janë kandidatët?
Një prej kandidatëve, është Mark Rutte, kryeministër i Holandës që nga viti 2010. Kandidatura e tij ka fituar mbështetje nga 29 prej 32 anëtarëve të aleancës, duke përfshirë edhe atë nga SHBA-ja. Pas muajsh bisedimesh, ish-shefi i spiunazhit Dirk Schoof me sa duket do të emërohet kryeministër i Holandës, që do të thotë se Rutte mund të largohet brenda disa javësh nga pozita. Por, ai nuk është i vetmi kandidat.
Kandidatët e tjerë përfshijnë presidentin rumun Klaus Iohannis, kryeministren e Estonisë, Kaja Kallas dhe ish-ministrin britanik të Mbrojtjes, Ben Wallace. Megjithatë, disa janë të shqetësuar se emërimi i Rutte si kreu i NATO-s, i cili është shumë anti-rus, mund të përshkallëzojë më tej tensionet.
Ndërsa Rutte duket i preferuari, për përzgjedhjen e tij ka disa pengesa. Midis tyre është Hungaria dhe lideri i ekstremit të djathtë, Viktor Orban, i cili e sheh Perëndimin si nxitës të luftës dhe ka vënë veton ndaj ndihmës së BE-së për Ukrainën. Madje, ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, ka konfirmuar se nuk do ta mbështesë Rutte.
Mbledhja në Pragë mund të jetë “politikisht e vogël” për ta zgjidhur ngërçin brenda aleancës. Shpresat janë të përqendruara në një samit të NATO-s në Uashington gjatë muajit korrik, pas një takimi të ministrave të Mbrojtjes në mes të qershorit. Shtyrja e një vendimi deri pas zgjedhjeve evropiane të 9 qershorit e bën të mundshme që ai të përfshihet në një seri më të gjerë vendimesh për postet kryesore të BE-së.
Supozohet se Iohannis do të drejtojë Komisionin Evropian, megjithëse kjo punë ka më shumë gjasa t’i shkojë presidentes aktuale, gjermanes Ursula von der Leyen, raporton Euronews. Gjithashtu, Kallas mund të jetë zgjedhja e Estonisë për komisionere të BE-së, apo të përfundojë në krye të shërbimit diplomatik të bllokut. Të gjithë sytë janë nga zgjedhjet amerikane që do të zhvillohen në nëntor, me disa që kanë frikë se rezultati mund të dëmtojë tërësisht aleancën transatlantike./Dita