Gati 80 milionë euro në vetëm pesë muaj. Kaq valutë ka tërhequr nga tregu i këmbimit Banka e Shqipërisë, suke ndalur të paktën për momentin një rrokullisje të mundshme të euros poshtë 100 lekëve.
“Banka e Shqipërisë ka zhvilluar tre ankande në tremujorin e parë të vitit. Në këto tre ankande janë blerë rreth 33 milionë euro. Për sa i përket muajve prill dhe maj janë zhvilluar edhe katër ankande të tjerë ku mesatarja e blerjeve në ankande ka qenë edhe më e lartë se në tremujorin e parë”, tha Marian Gjermeni, drejtor i Departamentit të Operacioneve Monetare në BSH.
Në total, deri në fund të vitit Banka Qendrore planifikon të realizojë 20 ankande për të blerë euron në tregun e këmbimit. Blerjet planifikohet të përshpejtohen në muajt e verës me 6 ankande vetëm në muajt qershor e korrik. Me ardhjen e vjeshtës, Banka planifikon të realizojë nga një ndërhyrje për secilin muaj, për të përmbyllur blerjet në 19 dhe 20 dhjetor 2024.
“Segmenti që synon të blejë banka e Shqipërisë është midis 250 mln euro dhe 330 mln euro. Ne kemi marrë parasysh edhe pjesës e sezonalitetit. Ka muaj ku janë parashikuar dy ankande dhe ka muaj ku janë parashikuar tre ankande”, tha Marian Gjermeni, drejtor i Departamentit të Operacioneve Monetare në BSH.
Ndonëse me luhatje, sipas kursit të publikuar nga Banka e Shqipërisë një euro është këmbyer mesatarisht me 100.5 lekë. Po çfarë pritet të ndodhë me sezonin masiv turistik veror në prag? “Të gjithë operatorët e tregut duhet të vijojnë normalisht si te kërkesa ashtu edhe te oferta dhe jo të ndikuar nga sezonaliteti i momentit”, tha Marian Gjermeni, drejtor i Departamentit të Operacioneve Monetare në BSH.
Vitin e shkuar Banka e Shqipërisë tërhoqi nga tregu valutor rreth 290 milionë euro. Ndërhyrjet e detyruara për shkak të zhvlerësimit të euros zgjeruan në 5.7 miliardë euro rezervën valutore. Këtë vit ajo planifikohet të arrijë në 6.3 miliardë euro./Tema