Ashtu siç rritet prodhimi i drithërave në botë edhe të korrat në Shqipëri janë në rritje. Sipas të dhënave të INSTAT, prodhimi i drithërave për vitin 2023 krahasuar me një vit më parë, vlerësohet të jetë rritur me 1.5%, duke arritur në 701 mijë ton. Në të njëjtën kohë, Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) vlerëson se prodhimi global i drithërave për të njëjtën periudhë ishte 2.8 mld ton, ose 1.2% më i lartë nga prodhimi i një viti më parë.

Ky institucion argumenton se prodhimi më i madh rrjedh kryesisht nga një rritje e prodhimit botëror të misrit. Po ashtu, ka patur një përdorim më të lartë të drithërave të trashë dhe grurit, veçanërisht për përdorim të ushqimit për kafshë, që është nxitur nga furnizimet e bollshme dhe çmimet më të ulëta se sezoni i kaluar.

“Scan Intel” ka analizuar shifrat për të kuptuar se cili qark ka prodhimin më të lartë të drithërave. Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT, qarku i Fierit ka nivelin më të lartë me 176,584 ton, pasuar nga qarqet Elbasan me 95,572 ton dhe Korçë me 83,889 ton.

Nga ana tjetër, nëse analizojmë të dhënat e tregtisë së jashtme rezulton se një pjesë të konsiderueshme të drithërave vendi ynë e importon. Gjatë vitit 2023 importet e drithërave arritën në 287 milionë ton, nga 241 milionë që ishin në vitin 2022. Gjithashtu, më shumë drithëra janë importuar gjatë muajve prill-maj të vitit 2023. Në këtë periudhë importet për këtë kategori arritën në afro 23 milionë ton dhe 33 milionë ton./Tema