Agjencia e BE-së për Bashkëpunim në Zbatimin e Ligjit (Europol) ka bërë të ditur se katër të dyshuar janë arrestuar dhe mbi 100 serverë të internetit janë rrëzuar ose ndërperë pas operacionit "Fundi i lojës", "operacioni më i madh ndonjëherë" kundër botnet-ëve.
Europol tha se mjetet programuese, përfshirë IceID, SystemBC, Pikabot, Smokeloader, Bumblebee dhe Trickbot, u shënjestruan në një përpjekje të përbashkët më 27-29 maj në kuadër të përpjekjes për të goditur infrastrukturën kibernetike të përdorur për qëllime kriminale.
Gjithsej katër persona u arrestuan, një në Armeni dhe tre në Ukrainë ndërsa mbi 100 serverë u rrëzuan ose u ndërprenë në Bullgari, Kanada, Gjermani, Lituani, Holandë, Rumani, Zvicër, Mbretëri e Bashkuar, SHBA dhe Ukrainë.
Sipas Europol, gjithashtu u kontrolluan 16 vendndodhje, nga një në Armeni dhe Holandë, tre në Portugali dhe 11 në Ukrainë në kuadër të operacionit "Fundi i lojës", "operacioni më i madh ndonjëherë" kundër botnet-ëve.
"Ky është operacioni më i madh ndonjëherë kundër botnet-ëve, të cilët luajnë rol të madh në vendosjen e ransomware-ve", thuhet në njoftim, duke shtuar se operacioni, i inicuar dhe i udhëhequr nga Franca, Gjermania dhe Holanda, u mbështet gjithashtu nga Eurojust dhe përfshiu Danimarkën, Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA-në.
Armenia, Bullgaria, Lituania, Portugalia, Rumania, Zvicra dhe Ukraina gjithashtu mbështetën operacionin. Europol theksoi se pas operacionit, tetë të arratisur të lidhur me këto aktivitete kriminale të kërkuar nga Gjermania, do t'i shtohen listës së më të kërkuarve të Evropës më 30 maj të vitit 2024.
"Operacioni 'Fundi i lojës' nuk përfundon sot. Veprimet e reja do të shpallen në faqen e internetit të operacionit 'Fundi i lojës'", thekson njoftimi./aa