Sekretari i përgjithshëm, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se Ukraina ka të drejtë për vetëmbrojtje, duke përfshirë goditjen e objektivave legjitime ushtarake brenda Rusisë.

"Ukraina duhet të jetë në gjendje të kundërpërgjigjet dhe të mbrohet. Kjo është pjesë e së drejtës për vetëmbrojtje", tha Stoltenberg në prag të takimit të ministrave të jashtëm në kryeqytetin çek Pragë.

Duke theksuar se është Rusia ajo që filloi luftën dhe "shkel të drejtën ndërkombëtare", shefi i NATO-s kujtoi se Rusia vazhdon të përshkallëzojë situatën pasi sapo hapi një front të ri në kufirin verilindor.

"Ajo që kam thënë shumë herë është se duhet të kujtojmë se kjo është një luftë agresioni. Rusia ka sulmuar një vend tjetër, ka shkelur ligjin ndërkombëtar, ka pushtuar Ukrainën dhe Ukraina ka të drejtë për vetëmbrojtje dhe kjo përfshin gjithashtu të drejtën për të goditur objektivat legjitime ushtarake brenda Rusisë", tha Stoltenberg.

Më tej, ai theksoi se vija kufitare në vijën e frontit është "pak a shumë e njëjtë" dhe shtoi se e drejta e Ukrainës për vetëmbrojtje, duke përfshirë të drejtën për të goditur objektivat ushtarake brenda Rusisë, është "edhe më urgjente" për shkak të sulmeve të reja në rajonin Kharkiv.

I pyetur lidhur me raportet se presidenti i SHBA-së, Joe Biden, i ka dhënë Ukrainës miratimin sekret për të përdorur armë të furnizuara nga SHBA-ja për të goditur objektiva brenda Rusisë, shefi i NATO-s tha se ai mirëpret që aleatët e NATO-s po i ofrojnë mbështetje Ukrainës në mënyra të ndryshme, por shtoi se ai "nuk do të shkojë në detaje se çfarë lloji të mbështetjes po marrin".

Dje, faqja e lajmeve ‘Politico’ duke cituar zyrtarë të administratës së presidentit Biden raportoi se leja e SHBA-së synon të ndihmojë Kievin të mbrohet më mirë kundër sulmeve ruse në Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës./aa