Donald Trump është shpallur fajtor nga një juri në New York për të 34 akuzat në lidhje me gjykimin e tij për pagesa parash për të siguruar heshtjen e një aktoreje të filmave për të rritur, duke e bërë atë ish-presidentin e parë të SHBA-së që dënohet për akuza penale të krimit.

Juria prej 12-anëtarësh mori vendimin pas dy ditësh të plota diskutimesh, duke e shpallur ish-presidentin Trump fajtor për fshehjen e një pagese prej 130 mijë dollarësh për yllin e filmave për të rritur, Stormy Daniels, që ajo të mos e publikojë historinë e saj për lidhjen e tyre të supozuar gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016 dhe duke e shënuar pagesën si shpenzim biznesi.

Trump mbrojti qëndrimin e tij se është i pafajshëm pasi u largua nga salla e gjyqit. "Ne nuk bëmë asgjë të gabuar. Unë jam një njeri shumë i pafajshëm", u tha Trump gazetarëve.

Derisa ekipi ligjor i Trumpit nuk ka njoftuar zyrtarisht paraqitjen e një apeli, ish-presidenti aludoi për kursin e tij të ardhshëm të veprimit. "Ne do të vazhdojmë të luftojmë. Ne do të luftojmë deri në fund dhe do të fitojmë, sepse vendi ynë ka ikur në ferr. Ne do të luftojmë për kushtetutën tonë. Kjo ka kohë që ka mbaruar", tha ai.

Trump po ashtu fajësoi presidentin Joe Biden për ngatërresën e tij ligjore, duke bërë pretendime të pabaza kundër presidentit aktual, me të cilin ai do të përballet në një revansh gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të nëntorit.

"I gjithë vendi ynë po manipulohet tani. Kjo është bërë nga administrata e Bidenit për të plagosur ose lënduar një kundërshtar, një kundërshtar politik", theksoi Trump.

Biden postoi një mesazh në platformën sociale X lidhur me zgjedhjet e ardhshme. "Ka vetëm një mënyrë për ta mbajtur Donald Trumpin jashtë Zyrën Ovale: Në kutinë e votimit", shkroi ai.

Ndërkohë, Trump vazhdoi të shprehte përbuzjen e tij me vendimin e gjykatës në mediat sociale.

"Të drejtat e mia civile janë shkelur totalisht me këtë 'gjueti të shtrigave' shumë politike, jokushtetuese dhe ndërhyrje në zgjedhje. Kombi ynë i dështuar po përqeshet në të gjithë botën. Jo vetëm që ky gjyqtar shumë i konfliktuar dhe i anuar, Juan Merchan, më pengoi të paraqes faktin se nuk kam bërë zbritje tatimore për shpenzim ligjor, por gjyqtari nuk i lejoi avokatët e mi të merrnin të dhënat tatimore nga ish-avokati, emrin e të cilit nuk më lejohet ta përmend për shkak të urdhrit antikushtetues të vendosur ndaj meje. Ndërhyrje në zgjedhje! Gjueti shtrigash!", shkroi Trump.

Tani që ai është shpallur fajtor, Trump duhet të bindë amerikanët se ai meriton një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë. Zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 do të mbahen më 5 nëntor.

Dënimi i Trumpit është caktuar për 11 korrik, vetëm disa ditë para se të nominohet zyrtarisht si kandidat presidencial i partisë së tij gjatë Konventës Kombëtare Republikane, e cila do të mbahet në Milwaukee, Wisconsin, më 15-18 korrik.

Biden do të emërohet zyrtarisht si kandidat presidencial i partisë së tij në Konventën Kombëtare Demokratike që do të zhvillohet në Chicago, Illinois, më 19-22 gusht./aa