Sezoni 2023-2024 do të mbahet mend gjatë në qytetin e Lezhës, pasi skuadra “Besëlidhja” në basketboll për meshkuj u shpall kampione e Shqipërisë, në një edicion ku realizoi 27 fitore dhe asnjë humbje.

Me këtë rast, Bashkia e Lezhës organizoi edhe festën e fitores, ku iu rezervua një mikpritje kampionëve nga kryebashkiaku, Pjerin Ndreu, ku i pranishëm ishte edhe ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.

Ai falënderoi ekipin për këtë sukses që bëri krenar një qytet të tërë, ndërsa premtoi se ndërtimi i Pallatit të Sportit është objektivi i radhës.

“Kur dolëm në Superligë menduam të bënim një Pallat Sporti, tani çështja është bërë më serioze dhe ne na duhet të zgjidhim problemin që ndeshjet e Besëlidhjes të bëhen në Lezhë. Shumë shpejt do ta zgjidhim këtë problem dhe do ta bëjmë Pallatin e Sportit, kemi bërë një kombinim. Çështja e Pallatit të Sportit nuk është vetëm e basketbollit, por edhe e volejbollit, pasi kemi edhe shumë sporte të tjera që të akomodojmë të gjithë sportet e tjera që të bëjmë shumë aktivitete. Arti, sporti, janë një energji pozitive për këtë qytet dhe janë të domosdoshme për jetesën e këtij qyteti”, u shpreh Ndreu.

Ai falënderoi Presidentin e Besëlidhjes që ka një peshë të madhe në mbështetjen e ekipit.

Presidenti i ekipit të “Besëlidhjes”, Ylli Ujka theksoi se, është hera e parë që një kryetar bashkie mbështet një ekip, një skuadër kampione në lojë ekipi.

“Është hera e parë që fitohet në lojë në ekip. Falënderoj të gjithë stafin për punën e bërë. Djemtë e ekipit e kanë bërë Lezhën shumë krenarë dhe na kanë nderuar. Kemi pasur kampion në sporte individuale, por të fitosh në lojë në ekip para shumë skuadrave si Tirana, Teuta dhe Vllaznia, është një nder e krenari për të gjithë lezhjanët”, tha Ujka.

Pjesë në suksesin e “Besëlidhjes” ka padyshim edhe trajneri, Afrim Bilali. Në shenjë mirënjohjeje, basketbollistët i dhuruan kryetarit të Bashkisë topin që solli fitoren e titullit kampion./ata