Deputetët e Kuvendit kanë ndërprerë debatin për të mbajtur një minutë heshtje për viktimat e aksidentit tragjik në Larisa të Greqisë.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka shprehur ngushëllime për viktimat dhe i ka uruar shërim të shpejtë të plagosurve, ndërsa ka ftuar ligjvënësit të mbajnë një minutë heshtje.
Bilanci tragjik i aksidentit më të madh hekurudhor në Greqi ka shkuar tashmë në 47 të vdekur, prej të cilëve mbi 10 krejtësisht të djegur. Informacione ende të pakonfirmuara zyrtarisht bëjnë me dije se midis personave që konsiderohen të humbur dhe që shumë shpejt do të mund ti shtohen listës makabre të viktimave mund të ketë të paktën edhe 3 shtetas shqiptarë.
Ndërkohë, në fillim të seancës plenare të kësaj të enjteje, një minuta heshtje u mbajt edhe për tre gratë, që një ditë më parë u vranë nga Dan Hutra, person me precedent të theksuar kriminal.
Hutra, rreth mesditës së mërkurës tronditi kryeqytetin me 3 ngjarje të ndryshme kriminale duke lënë pas 3 gra të vrara dhe 3 të tjera të plagosura në më pak se një orë.