Me rënien e regjimit komunist, në vitin 1991 u vendosën për herë të parë marrëdhëniet diplomatike midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, atëherë i quajtur Komuniteti Ekonomik Evropian. Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Tregtisë dhe Bashkëpunimit, Shqipëria do të fitonte për herë të parë të drejtën për të përfituar nga Programi PHARE i BE-së, ndër synimet kryesore të të cilit ishte forcimi i kapaciteteve të administratës publike. Për periudhën 1991-2000, vendi ynë përfitoi 631.5 milion euro nga ky program.
Më konkretisht, vetëm në vitin 1992 do të shënoheshin kontaktet e para direkte të Shqipërisë me fondet e Bashkimit Evropian. Pas kësaj, BE-ja do t’i shpërndante Rajonit të Ballkanit rreth 4.6 miliard euro nga Programi CARDS, Asistencës Komunitare për Rindërtim, Zhvillim dhe Stabilizim.
Ndërkohë, që përpara se të merrte statusin e vendit kandidat, Shqipëria përfiton nga fondet e paraanëtarësimit IPA. Ky është një instrument që mbështet vendet në përmbushjen e kritereve politike dhe ekonomike, si dhe në përafrimin e legjislacionit të tyre kombëtar me atë të BE-së. Fondet e paraanëtarësimit jepen në periudha 7 vjeçare, përkatësisht në periudhën 2007 – 2013 janë shpërndarë 11.5 miliard euro për vendet kandidate dhe kandidate potenciale për anëtarësim në Bashkimin Evropian, nga të cilat Shqipëria mori gati 594 milion euro.
Nga 2014 në 2020, Shqipërisë iu dhanë 639.5 milion euro dhe aktualisht prej 2021 deri në 2027, ne përfitojmë nga IPA III rreth 600 milion euro, prej një fondi total 14,162 miliard eurosh. Objektivat kryesore të IPA III janë promovimi i vlerave të përbashkëta, rimëkëmbja pas Covid-19, reforma për modernizimin e shoqërisë dhe ekonomisë, përafrimi me rregullat dhe standardet e BE-së. Gjithsej, mund të thuhet se ne kemi përfituar përafërsisht 1.8 miliard euro vetëm nga fondet e paraanëtarësimit që prej 2007-ës.
Krahas kësaj të fundit, Shqipëria është pjesë e Planit Ekonomik dhe të Investimeve të Ballkanit Perëndimor deri në vitin 2027. Ky plan ofron 30 miliard euro për vendet e Ballkanit Perëndimor duke synuar mbështetjen e ekonomive të këtyre vendeve, forcimin e konkurrencës së sektorit privat, integrimin e të rinjve në tregun e punës, tranzicionin e gjelbër dhe digjital e të tjera. Ndërsa së fundmi u miratua Plani i Rritjes Ekonomike prej 6 miliard eurosh për Ballkanin Perëndimor.
Anëtarësimi në Bashkimin Evropian do të sigurojë një mbështetje më të madhe financiare për Shqipërinë, pasi një pjesë e konsiderueshme e fondeve të BE-së shkon për rajonet më pak të zhvilluara të Evropës, me qëllim uljen e pabarazive të theksuara midis vendeve anëtare. Megjithatë, krahas kësaj ekziston edhe detyrimi që të paguhet një kontribut i caktuar në bazë të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit./Tema