Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në fjalën e mbajtur në tubimin qytetar, ka folur në lidhje me projektin e Ballkanit të Hapur.
Sipas tij, ky projekt ishte për të kapitulluar Kosovën dhe ndarjen e saj.
Berisha: Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta.
Mirënjohjen më të thellë për ju qëndrestarë dhe qëndrestare të pamposhtur, misionarë të kauzës së drejtë të çdo shqiptari.
Misionarë të kauzës së dinjitetit, të kauzës së atdhetarisë dhe interesit kombëtar.
Protestat tuaja janë protesta për çdo shqiptar.
Por janë protesta për çdo qytetar evropian, që beson tek liria, tek dinjiteti, vlerat dhe shteti ligjor.
Protesta juaj ka qenë dhe mbetet një protestë në mbrojtje madhore të interesit kombëtar të shqiptarëve.
Të dashur miq, dy vite më parë ju u ngritët në këmbë në prag të samitit të Ballkanit ruso-serb, Ballkanit të Hapur, në një protestë që u shënua në rajon dhe në Europë.
Argati i Aleksandër Vuçiçit, Edi Rama, ndërmori një nismë ruso-serbe, mbështeti një nismë, të cilën ne e denoncuam që në takimin e saj të parë.
Një nismë që mbështetej fuqishëm nga Sergei Lavrov dhe Aleksis Soros, dy armiq të kombit shqiptar.
Me Ballkanin e Hapur, Edi Rama shtriu hegjemoninë serbe në Shqipëri, Maqedoni.
Izoloi Kosovën dhe kjo ishte nisma, e cila pas ndarjes dhe ndryshimit të kufijve, duhet të sillte kapitullimin përfundimtar të Kosovës, rënien e saj në prehrin e Serbisë, ndarjen e saj midis Vuçiçit dhe argatit të saj në Tiranë.
Por opozita shqiptare e denoncoi dhe nuk e pranoi kurrë.
Miq, dje i dërguari i posaçëm për rajonin i qeverisë gjermane, zoti Sarrazin, deklaroi pikërisht atë që opozita kishte deklaruar me dhjetëra e qindra herë, atë për të cilën opozita kishte protestuar, deklaroi se Ballkani i Hapur kishte synim izolimin e Kosovës.
Ky është Pashiqi i Tiranës, Pashiqi shqipfolës i Tiranës, të cilin e përkrahin vetëm e vetëm se i lëpihet Vuçiçit.
E përkrahin kudo, vetëm e vetëm se është një jesmen që padit Kosovën, qeverinë dhe autoritetet e saj.
Që vendos sanksione ndaj vendit vëlla.
Të dashur miq, me këtë politikë, Edi Rama ka garantuar pa diskutim mbështetje.
Por unë përsëri u deklaroj partnerëve të Shqipërisë dhe rajonit se kjo politikë qëndron absolutisht si shkak themelor i bllokimit të procesit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë gjatë 11 viteve.
Ideja se Edi Ramën e kemi me vete, ndërkohë që ai është me Vuçiçin dhe kundër Kosovës, është një ide bllokatore.
Është një qëndrim bllokues tërësisht për zgjidhjen e problemeve që ekzistojnë mes dy vendeve, Kosovës dhe Serbisë.
Kjo ide ka sjellë në vetvete inkurajimin e Putinit të vogël në Beograd, paraqitjen para Brukselit, Uashingtonit, Berlinit, Londrës, Parisit të Aleksandër Vuçiçit, mentorit të Bjellivukut, si një njeri që po moderohet. Si një njeri që edhe shqiptari, antishqiptari apo Pashiqi i Tiranës, thotë llafe të mira për të.
Dhe solli në një mënyrë apo në një tjetër demonizimin e viktimës, demonizimin e Kosovës, të drejtuar qoftë nga kryeministrat para Albin Kurtit, dhe së fundmi nga Albin Kurti.
Solli përpjekjet e fshehta të Tiranës dhe Beogradit për ndarjen e Kosovës, duke besuar dhe shpresuar se do të bindin për këtë diplomatë perëndimorë.
Unë ftoj diplomatët perëndimorë, të shtrojnë një pyetje: si ka mundësi që në vitet 2010-2013, u firmosën dhjetëra marrëveshje.
U firmos marrëveshja e përgjithshme.
Çfarë ndodhi me këto marrëveshje pas ardhjes së Edi Ramës në pushtet?
Pas ardhjes së Edi Ramës në pushtet u shpalosën pazaret Tiranë-Beograd për ndarjen e Kosovës.
Dhe këto pazare janë shkaku kryesor i bllokimit të procesit të negociatave të paqes, të marrëveshjeve në Kosovë.
Ndaj dhe ju mund të mbani sa të doni Edi Ramën si ‘good guy’ që na dëgjon, por gaboheni se historia ka provuar se ata që tradhtojnë kombin e tyre, nuk mund të jenë ndryshe veçse ‘pis guy’.
E drejta del miqtë e mi, përveç kësaj, dje revista më e madhe e tokës gjermane dhe e vendeve gjermanfolëse, i bëri portretin më autentik narkodiktatorit të Tiranës.
I bëri radiografinë para publikut gjerman të gjitha aspekteve të narkoregjimit të Edi Ramës dhe jo vetëm nga ndonjë deklaratë nga opozita, por nga dokumente zyrtare ndërkombëtare.
Nga deklarata nga vetë mazhoranca.
Nga deklarata ndërkombëtare.
Nga fakte.
Uollter Mejer, ky publicist, ndër më të njohurit e Europës, i bëri portretin Edi Ramës ashtu siç e ka, themeluesi i narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë.
Olsi Ramën, të lidhur këmbë e xhep me drogën, korrupsionin që ngrihet direkt te Edi Rama, vjedhjet, vjedhjet, vjedhjet.
Kontrollin total të drejtësisë së reformës së Xhorxh Sorosit.
Farsat e tij elektorale.
Miq, ndokush mund të thotë se ky është një artikull. Po, por ky është një artikull themelor i një publicisti me reputacion europian dhe botëror.
Dhe sot e tutje, cilido që i jep dorën Edi Ramës, cilido që përqafohet, e di se i jep dorën një zyrtari të korruptuar kokë e këmbë.
E di se i jep dorën një kryeministri të lidhur kokë e këmbë me krimin.
E di se përqafohet dhe puthet me një narkodiktator dhe kjo nuk është pak.
Duhet t’i shpreh mirënjohje shtypit të lirë, të cilin Edi Rama ishte përpjekur ta intimidonte.
Por miq, të gjitha këto janë zhvillime pozitive në drejtimin e duhur.
Por u garantoj se çdo qytetar gjerman që lexon artikull.
Çdo qytetar shqiptar që lexon atë artikull.
Të gjithë ata që lexojnë deklaratën e Sarrazinit, shtrojnë vetëm një pyetje:
Mirë se burrështetasit e tjerë e përkrahkan Edi Ramën si jesmen, si njeri që bën çfarë i thonë, por që shet pasurinë publike për njerëzit e vet, që nuk ndjek asnjë kod, asnjë ligj, asnjë moral, pyetja shtrohet, po shqiptarët çfarë bëjnë?
Pyetja shtrohet: e kujt është përgjegjësia?
Përgjegjësia miq është e jona, e jona dhe vetëm e jona.
Përgjegjësia është e guximtarëve.
Vetëm guximtarët bëjnë historinë.
Vetëm guximtarët firmosin fitore.
Vetëm guximtarët meritojnë fitore.
Vetëm guximtarët mbrojnë dinjitetin dhe lirinë e njeriut.
Vetëm guximtarët mbrojnë interesin kombëtar.
Vetëm guximtarët do krijojnë qeverinë teknike.
Vetëm guximtarët do u rikthejnë shqiptarëve votën e lirë.
Vetëm guximtarët do firmosin ndryshimin e pushtetit.
Vetëm guximtarët do firmosin fitoren e opozitës.
Duke përshëndetur të gjithë ata që protestuan tek bashkia, ftoj qytetarët të nisim betejën e madhe, betejën e pandalshme, betejën pa kthim për qeverinë teknike, votë të lirë.
Rrofshi ju, rroftë Shqipëria.
Fitore, fitore, fitore!
/OraNews