Presidenti amerikan Joe Biden tha se Izraeli i ka paraqitur Hamasit një marrëveshje prej tre fazash që do t'i jepte fund të gjitha armiqësive në Rripin e Gazës dhe në kuadër të së cilës do të liroheshin pengjet që vazhdojnë të mbahen në enklavën e bllokuar bregdetare.
Presidenti i bëri thirrje Hamasit që të pranonte marrëveshjen dhe i kërkoi kryeministrit Benjamin Netanyahu të shmangte presionin nga anëtarët e koalicionit të tij qeverisës që janë kundër planit.
"Hamasi nuk është më në gjendje të kryejë një 7 tetor tjetër, që është një nga objektivat kryesore të Izraelit në këtë luftë, dhe sinqerisht një objektiv i drejtë", tha presidenti amerikan në një fjalim të shkurtër të dhënë nga Shtëpia e Bardhë, duke iu referuar sulmit ndërkufitar të Hamasit.
"Unë e di se ka nga ata në Izrael që nuk do të pajtohen me këtë plan dhe do të bëjnë thirrje që lufta të vazhdojë pafundësisht. Disa janë edhe në koalicionin qeveritar dhe ata e kanë bërë të qartë se duan të pushtojnë Gazën. Ata duan të vazhdojnë të luftojnë për vite me radhë, dhe pengjet nuk janë prioritet për ta. Unë i kam kërkuar udhëheqësisë në Izrael që të qëndrojë pas kësaj marrëveshjeje, pavarësisht çfarëdo presioni që vjen”, tha Biden.
Faza e parë, për të cilën Biden tha se do të zgjasë për gjashtë javë, do të përfshijë atë që ai e quajti "një armëpushim të plotë" dhe tërheqjen e forcave izraelite "nga të gjitha zonat e populluara të Gazës". Një numër i papërcaktuar pengjesh do të liroheshin gjithashtu gjatë kësaj periudhe, duke përfshirë gra, të moshuar dhe të plagosur, në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë, të cilët Biden tha se do të numëroheshin në qindra.
Civilët palestinezë gjithashtu do të lejohen të kthehen në shtëpitë e tyre në të gjitha zonat e Gazës, përfshirë në veri, ku Izraeli ka vendosur kufizime, ndërsa Biden tha se ndihma humanitare "do të rritet" për të përfshirë 600 kamionë që kalojnë në Gaza çdo ditë.
"Me një armëpushim, ajo ndihmë mund të shpërndahet në mënyrë të sigurt dhe efektive për të gjithë ata që kanë nevojë. Qindra mijëra strehimore të përkohshme, duke përfshirë njësi banimi, do të shpërndahen nga komuniteti ndërkombëtar", tha ai, duke shtuar:
"E gjithë kjo dhe më shumë do të fillonin menjëherë, menjëherë. Gjatë gjashtë javëve të fazës së parë, Izraeli dhe Hamasi do të negocionin marrëveshjet e nevojshme për të arritur në fazën e dytë, e cila është një fund i përhershëm i armiqësive".
Presidenti amerikan pranoi se këto negociata paraqesin vështirësi, duke thënë se "ka një sërë detajesh për të negociuar" për të kaluar në fazën e dytë, por tha se propozimi i Izraelit lejon që armëpushimi të mbetet në fuqi për sa kohë që bisedimet vazhdojnë. Egjipti, Katari dhe SHBA do të punojnë për të siguruar që kjo të mbetet e tillë "derisa të arrihen të gjitha marrëveshjet dhe faza e dytë të jetë në gjendje të fillojë", tha ai.
Faza e dytë do të përfshijë shkëmbimin e të gjithë pengjeve të mbetura të gjallë, duke përfshirë personelin ushtarak mashkullor izraelit, si dhe tërheqjen e plotë të Izraelit nga Gaza.
"Për sa kohë që Hamasi i përmbush angazhimet e tij, një armëpushim i përkohshëm do të shndërrohet, sipas propozimit izraelit, në ndërprerje të përhershme të armiqësive", shtoi ai.
Faza përfundimtare do të përfshinte fillimin e rindërtimit në Gaza, ku Izraeli ka rrafshuar zona të gjera të territorit bregdetar, ndërsa eshtrat e çdo pengu të vdekur do të dorëzoheshin.
Izraeli vazhdon ofensivën brutale ushtarake në Gaza pas inkursionit të Hamasit më 7 tetor, pavarësisht nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon armëpushim të menjëhershëm.
Të paktën 36.284 palestinezë janë vrarë që atëherë në Gaza, shumica dërrmuese e të cilëve gra dhe fëmijë, si dhe mbi 82 mijë të tjerë janë plagosur.
Gati tetë muaj pas luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë kthyer në rrënoja mes një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e cila në vendimin e saj të fundit ka urdhëruar Tel Avivin të ndalojë menjëherë operacionet në qytetin Rafah, ku mbi 1 milion palestinezë kërkuan strehim nga lufta përpara se të pushtohej më 6 maj./aa