Një ditë më parë u pasqyrua gjerësisht në mediat italiane vizita e kryeministres Giorgia Meloni në Shqipëri. Vizita disa orëshe është parashikuar të zhvillohet në 5 qershor. Agjencia shtetërore italiane e lajmeve, ANSA ka zbardhur këtë të shtunë detaje të reja nga vizita. Sipas ANSA, në fokus të kësaj vizite është puna për ngritjen e kampeve të refugjatëve që po ndërtohen në Shëngjin dhe në Gjadër të Lezhës.

“Puna atje është ende në vazhdim, por falë javës së kulturës italiane, Giorgia Meloni do të kthehet në Shqipëri të mërkurën e ardhshme për të vizituar dy qendrat e menaxhimit të emigrantëve, të cilat nuk janë ende funksionale, por që qeveria dëshiron t’i aktivizojë “sapo të jetë e mundur” – shkruan ANSA.

Sipas të njëjtave burime, vijon ANSA, Meloni mund të mos shkelë as në Tiranë në vizitën e shkurtër edhe pse agjenda e takimeve nuk është finalizuar ende. ANSA nënvizon se “vizita në Shqipëri do zhvillohet pak ditë para zgjedhjeve europiane të 8 dhe 9 qershorit”, për të cilat kryeministrja italiane është duke bërë një fushatë të ethshme.

Vizita në Shqipëri do të jetë institucionale për kryeministren, edhe pse do të përkojë me fushatën elektorale dhe vjen pas “inspektimit” të ditëve të fundit të deputetëve të së majtës që drejtuan gishtin tek “blofi elektoral” dhe spektakli me “buldozerë në shkretëtirë” që hasën në kantieret e ndërtimit.

Kampi në zonën e portit të Shëngjinit është praktikisht gati, ndërsa në zonën e Gjadrit ku do të vendosen Qendrat e Pritjes dhe Riatdhesimit, puna është ende duke vijuar, por qeveria siguron se do të mbyllet sa më shpejt.

Një udhëtim i kryeministres italiane atje ishte përfolur për datën 20 maj, kur ishte planifikuar hapja e qendrave të emigrantëve. Më pas, një shtyrje pas tjetrës, mbërritëm tek e mërkura, vetëm 3 ditë para hapjes së qendrave të votimit për zgjedhjet evropiane” – shkruan ANSA./BalkanWeb