Türkiye është i vetmi vend që shfaq reagimin më të fortë ndaj masakrës në Gaza dhe merr masa konkrete kundër Izraelit, tha sot presidenti i vendit, Recep Tayyip Erdoğan.
“Ne jemi i vetmi vend që kemi shfaqur reagimin më të fortë ndaj masakrës në Gaza që nga 7 tetori dhe kemi marrë masa konkrete kundër Izraelit”, tha Erdoğan në një takim konsultimi dhe vlerësimi të AK Partisë në Ankara.
Erdoğan gjithashtu përshëndeti vendimin e parlamentit turk për të dënuar masakrat izraelite në Rafah, duke thënë se vendimi është “jashtëzakonisht i vlefshëm”.
Lidhur me situatën në Palestinë, ai tha se Türkiye ka dërguar mbi 55.000 tonë ndihma humanitare në rajon.
Më 26 maj, Izraeli kreu një sulm ajror në një kamp për personat e zhvendosur në Rafah që vrau të paktën 45 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë.
Izraeli ka vazhduar ofensivën e tij brutale në Gaza që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor, pavarësisht nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm.
Rreth 36.300 palestinezë janë vrarë që atëherë në Gaza, shumica dërrmuese gra dhe fëmijë, dhe mbi 82.000 të tjerë janë plagosur, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.
Gati tetë muaj pas fillimit të luftës izraelite, zona të gjera të Gazës janë shndërruar në rrënoja, krahas një bllokade gjymtuese të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.
Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në vendimin e saj të fundit e urdhëroi atë të ndalonte menjëherë operacionin e tij në Rafah, ku mbi një milion palestinezë kishin kërkuar strehim nga lufta përpara se të pushtohej më 6 maj./aa