Sipas një studimi të ri të tregut të energjisë, për herë të parë në gati dy vjet, vendet e BE-së importuan më shumë gaz natyror në një tremujor nga Rusia sesa nga Shtetet e Bashkuara. Nga prilli në qershor, Bashkimi Evropian bleu më shumë se 12.7 miliardë metra kub gaz nga Rusia dhe 12.3 miliardë nga SHBA, sipas raportit të konsulencës Bruegel me qendër në Bruksel.
Pavarësisht se dërgesat nga Rusia ranë pak në krahasim me tremujorin e parë të 2024, ato nga SHBA ranë më shumë, zbuloi kërkimi. Norvegjia mbetet furnizuesi më i madh i gazit për BE-në me 23.9 miliardë metra kub në tre muajt e dytë të vitit.
Rusia mbante këtë pozicion deri në pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022, pas të cilit shumë shtete të BE-së reduktuan importet nga Rusia. Sipas statistikave të qeverisë gjermane, vendi nuk blen më gaz nga Rusia. Megjithatë, në të gjithë BE-në, Rusia ka arritur në vendin e dytë në listën e furnizuesve, duke kaluar përpara SHBA-së. Destinacionet importeve nuk janë të qarta nga të dhënat.
Kohët e fundit, opozita gjermane ka kërkuar vazhdimisht një ndalim të importit të gazit rus në nivel të Bashkimit Evropian.
“Evropianët po mbështesin Ukrainën me miliarda dhe njëkohësisht po paguajnë miliarda në arkën e luftës së Putinit. Kjo nuk është as e përgjegjshme, as e arsyeshme dhe as e besueshme,” thonë përfaqësuesit e opozitës.
Gjithashtu është kërkuar një shtesë në çmimin e gazit të importuar nga Rusia për të rritur ndihmën financiare dhe ushtarake për Ukrainën./Scan