Kreu i Organizatës Euro-Mesdhetare për Monitorimin e të Drejtave të Njeriut (Euro-Med), Ramy Abdu tha se Izraeli përdor urinë si armë për të larguar njerëzit nga Gaza dhe madje për të vrarë.

Abdu në një prononcim për Anadolu foli lidhur me urinë dhe kushtet e vështira me të cilat përballen banorët e Gazës që ndodhet nën sulmet dhe bllokadën intensive të Izraelit.

Duke thënë se njerëzit nuk mund të gatuanin për shkak të mungesës masive të ushqimit në Gaza, Abdu tha se numri i kamionëve që hyjnë aktualisht me produkte të ndihmës në Gaza është 100 në ditë ose më pak, ndërkohë që para sulmeve kur Izraeli fillojë të kryejë gjenocid në Gaza kjo ishte mesatarisht 500 kamionë në ditë.

"Ndërsa në aspektin e furnizimit ushqimor në veri të Gazës nuk dërgohet asgjë", deklaroi Abdu i cili tha se "Mund të themi se vetëm 50 deri në 100 kamionë me ndihma kanë arritur në veri të Gazës në 100 ditët e fundit. Në këtë rajon ka uri të theksuar dhe mungesë në çdo gjë. Njerëzit vërtet po vdesin nga uria këtu. Më shumë se gjysmë milioni palestinezë po vuajnë për shkak të kushteve të vështira të dimrit dhe mungesës së ushqimit".

Duke kujtuar deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres se organizatat e ndihmës "nuk kanë mundur të furnizojnë me ushqim të gjithë Gazën", Abdu nënvizoi se ata konfirmuan se nuk ka organizata ndihmash në veri të Gazës.

"Fëmijët, më të prekurit nga uria në Gaza"

"Aktualisht, më shumë se gjysma e atyre në Gaza po përjetojnë uri në nivel kritik. Të gjithë ata që jetojnë në veri të Gazës po përballen me kushte të rënda dhe të pamëshirshme urie. Në përgjithësi, më shumë se 75 për qind e palestinezëve në Gaza vuajnë nga uria e rëndë. Nuk ka rritje të rezervave ushqimore dhe kamionëve me ndihma që hyjnë në Gaza", u shpreh Abdu.

Ndër të tjera pasi tha se ushtarët izraelitë kanë qëlluar ata që janë përpjekur të arrijnë tek kamionët e pakët me ushqime që hynë në Gaza nga jugu në veri, Abdu tërhoqi vëmendjen se kanë dokumentuar që dhjetëra njerëz kanë humbur jetën për shkak të kësaj.

"Po flasim për 'uri të qëllimshme', veçanërisht për veriun e Gazës. Nga kjo situatë ato që preken më shumë janë fëmijët, sepse nuk kanë ushqimin që u nevojitet. Shumica e foshnjave kanë nevojë për qumësht, por nuk ka hyrje të qumështit në Gaza. Nuk ka Ilaçe, pajisje mjekësore dhe madje as produkte ushqyese. Gratë mezi e përballojnë këtë situatë. Ato nuk hanë vetë dhe ua japin fëmijëve të tyre. Kur shikojmë format trupore të njerëzve në Gaza dhe veçanërisht të atyre në veri, ju mund ta kuptoni lehtësisht se ata po vuajnë nga uria. Ata po vuajnë shumë", shtoi Abdu.

- "Izraeli përdor urinë si armë për të dëbuar banorët e Gazës nga Gaza dhe madje për t'i vrarë ata"

Pasi theksoi se kur shikojnë se çfarë po ndodh në terren në Gaza, Izraeli po kryen gjenocid në Gaza dhe veçanërisht elementët e tij ushtarakë, Abdu tha:

"Izraeli përdor urinë si armë për të larguar banorët e Gazës nga Gaza dhe madje për të vrarë. Një element tjetër është vrasja masive. Tani po shohim koston njerëzore të kësaj. Përafërsisht 4.5 për qind e njerëzve të Gazës u vranë, u plagosën ose u zhdukën. Elementi i tretë është mërgimi i banorëve të Gazës dhe shpërngulja. Izraeli vazhdon t'i përdorë në mënyrë të pamëshirshme këto 3 elementë. Kjo do të thotë se Izraeli insiston gjithnjë e më shumë për të vazhduar këtë gjenocid në Gaza".

"Shpresuam se marrja e një 'vendimi të arsyeshëm' nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) se Izraeli ka kryer gjenocid në Gaza do ta pengonte Izraelin nga "plani i tij për të zhvendosur qytetarët e Gazës", njoftoi Abdu i cili shtoi se pas këtij vendimi ata ndoqën situatën në terren dhe përcaktuan se Izraeli ka vazhduar të vrasë në të njëjtën mënyrë banorët e Gazës.

Gjithashtu Izraeli po vazhdon të shkatërrojë dhjetëra vendbanime, tha Abdu i cili shtoi se ai madje ka minimizuar hyrjen e kamionëve me ushqime në Gaza dhe vazhdon të masakrojë në mënyrë sistematike njerëzit duke i larguar ata nga veriu i Gazës.

Abdu thotë se OKB-ja dhe organizatat ndërkombëtare nuk duhet të respektojnë direktivat e Izraelit dhe të bëjnë presion mbi Izraelin. Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të veprojë së bashku dhe vuri në dukje rëndësinë e të folurit "me një zë" në mënyrë që të krijohet presion real mbi Izraelin./aa