Restorantet dhe hotelierët gjermanë presin një numër rekord vizitorësh gjatë kampionatit evropian të futbollit, por në të njëjtën kohë kanë frikë nga mungesa e stafit, raportojnë mediat gjermane.

Është pothuajse e pamundur të gjesh staf në treg. Ne do të duhet të arrijmë të tërheqim personel nga degët e tjera për një periudhë të caktuar kohore përmes agjencive private ndërmjetësuese”, thotë Sami Nofal, menaxher i Heiner’s Parkhotel në Gelsenkirchen, aty ku do të zhvillohen disa përballje.

Hoteli ka gjithashtu një tarracë të madhe ku do të organizohet shikimi publik i ndeshjeve të Kampionatit Evropian, i cili do të mbahet në Gjermani nga data 14 qershor deri më 14 korrik.

“Stafi i ‘huazuar’ gjatë na ka kushtuar dukshëm më shumë, por nuk kemi rrugëdalje”, thotë Nofal.

Refugjatët, ndihmë sociale më të lartë se paga e kateringut

Restorantet në të gjithë Gjermaninë në prag të Europianit po përpiqen të gjejnë staf të ri që janë larguar pjesërisht nga industria gjatë pandemisë.

Sindikatat e punonjësve në industrinë e hotelerisë NGG, besojnë se punëtorët i kanë kthyer shpinën industrisë së mikpritjes dhe kryesisht nuk janë kthyer pas pandemisë për shkak të pagave tradicionalisht të ulëta për orë.

“Kjo, siç tregohet nga një sondazh midis anëtarëve tanë, është arsyeja kryesore pse stafi i kthen shpinën mikpritjes,” tha NGG.

Shoqatat e mikpritjes arsyen e problemeve me personelin e shohin në radhë të parë në “akademizimin” e shoqërisë dhe ndryshimet demografike.

Kritikët e politikës sociale të qeverisë aktuale theksojnë se është e vështirë të merren miliona refugjatë që kanë mbërritur në Gjermani që nga viti 2015 për këto punë, sepse, si rregull, përfitimet sociale janë më shumë se fitimet në industrinë e mikpritjes. Përveç kësaj, si rregull, refugjatët dhe azilkërkuesit nuk flasin gjermanisht aq mirë sa për të punuar drejtpërdrejt me klientët. /tesheshi.com/