Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” në kryeqytet u gjallërua sot nga zërat e fëmijëve me rastin e 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të tyre.
Bashkia e Tiranës organizoi sot një sërë aktivitetesh, ku fëmijët u argëtuan me lojëra të ndryshme.
Në bulevard u hapën 14 stenda të ndryshme, ku fëmijët patën rastin të ushtrojnë praktika të ndryshme si kulinaria dhe mbjellja e luleve.
Në kavaletat e vendosura në bulevard fëmijët pikturuan duke shprehur fantazinë e tyre për të krijuar piktura, të cilat më pas i ekspozuan për të pranishmit.
Të tjerë fëmijë provuan të krijonin punime në baltë, ose të luanin në instrumentet muzikore duke sjellë atmosferë të gëzueshme.
Po ashtu të tjerë fëmijë bënë patinazh në pistën e vendosur në bulevard si dhe u argëtuan me animatorët, të cilët i pikturuan në fytyrë dhe sollën lojëra të ndryshme për fëmijët.
Në një stendë të veçantë të vendosur në bulevard, fëmijët u argëtuan me tullumbace.
Një zonë e veçantë i ofroi fëmijëve dhe prindërve mundësinë për të krijuar dhe ngjyrosur balonat që më pas i ngritën në qiell.
1 Qershori, Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve, në Shqipëri dhe në mbarë botën, u kushtohet fëmijëve.
Më 1 Qershor jo vetëm festohet, por kjo ditë njihet për sensibilizimin për t’i thënë jo dhunës, bullizmit dhe abuzimeve të tjera ndaj fëmijëve./ata