Partia Demokratike zhvilloi sot Kuvendin Programor për prezantimin e programit për zgjedhjet e ardhshme politike, me sloganin “Shqipëria meriton më shumë”. Pjesë e prezantimeve ishte edhe Prof. Doktor Rexhep Uka, i cili ka foli për propozimet e PD për bujqësinë.
Në fjalën e tij, Uka u ndal fillimisht tek rëndësia e bujqësisë, duke theksuar se Traktati i Romës i 1958-ës e vendosi bujqësinë në zemrën e veprimtarive të Bashkimit Ekonomik Europian, me objektiv rritjen e prodhimit, një standard të drejtë jetese të familjes fermere, disponueshmëri furnizimesh, treg të stabilizuar, dhe zinxhir të sigurtë furnizimi me çmime të arsyeshme.
Sipas tij, PD gjendet përpara një situate kur bujqësia shqiptare po lëngon në gjendjen e saj të braktisur dhe ku po bëhet nevojë urgjente ringjallja e saj.
“Për PD-në, bujqësia deklarohet misioni i parë, pa bujqësi nuk ka zhvillim rural, nuk ka turizëm, nuk ka mirëqenie urbane, nuk ka emancipim shoqëror, nuk ka demokraci”, u shpreh Uka.
Uka parashtroi qëllimin e PD që të arrihet një rritje ekonomike e qëndrueshme, me jo me pak se 5-6 % në vit, ndaj vuri në dukje ai ky sektor do të mbështetet me një buxhet dy herë më të madh se sa buxheti aktual.
“Do të synohet që, brenda katër viteve të qeverisjes, eksportet bujqësore në vlerë të rriten 3 herë, duke kalur vlerën e importeve. Financimi do të shkojë drejtpërdrejt atje ku punohet dhe prodhohet, objektiv bujqësi e qëndrueshme, jo vetëm për sot, por edhe për brezat”, theksoi Uka.
Ai renditi dhe disa pika të tjera si rehabilitim i infrastrukturës, vaditje, drenim, kullim, masa kundër përmbytjeve./ata