Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka kërkoi sot bashkërendim me aleatët për protestën e 11 korrikut që synohet të jetë sa më masive.
Sot u mbajt Federata e Opozitës, ku merrin pjesë edhe kryetarët e disa partive opozitare si Fatmir Mediu i Partisë Republikane, Agron Duka i Partisë Agrare Ambientaliste, Vangjel Dule i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, etj. Duke iu drejtuar takimit, Noka tha se, “sot çdo shqiptar ka arsye të protestojë. Sot çdo i ri dhe e re do ftohet në protestën e PD dhe opozitës së bashkuar”.
“Sot çdo nëpunës ka arsye të bëhet me ne për të protestuar. Sot çdo mësues që e ka ndjerë në petkun e tij arrogancën dhe brutalitetin e narkoshtetit ka arsye të bëhet së bashku me ne për të protestuar”, tha ai.
“Çdo pensionist, çdo fermer, çdo i papunë ka arsye të pafundme për të bashkërenduar me ne dhe për t’iu bashkëngjitur agjendës së opozitës së bashkuar për të reaguar në protestë dhe në mosbindje ndaj këtij narkoregjimi që sot e ka bërë Shqpërinë të pajetueshme. Sot çdo familjar, çdo qytetar i këtij vendi që i ka rënë halli të trokasë në dyert e shëndetësisë falas, ka arsye ulëritëse për të protestuar së bashku me ne”, tha Noka.
Noka theksoi se, “kjo protestë do jetë nisja e një reagimi popullor që duhet të vazhdojë për të detyruar këtë regjim të lirojë liderin e opozitës si të vetmin të burgosur politik në Europë. Kjo protestë do të jetë nisja e një vargu reagimesh për të detyruar Edi Ramën që të japë një zgjidhje politike për ngërçin politik ku e ka futur vendin”./ata