Përfundon procesi i aktverifikimit për kategorizimin e furrave të bukës dhe pastiçerive në të tria fashat e çmimit të energjisë elektrike prej 7.6 lekë, 9.5 lekë dhe 12 lekë për kWh.
Në total në shkallë vendi sipas kryetarit të Shoqatës së Bukës, Pastiçerive dhe Brumërave, Gëzim Peshkopia janë rreth 3,800 furra bukë. Peshkopia thotë se 70% e tyre janë kategorizuar te fasha e çmimit prej 9,5 lekë për kWh, ndërsa 30% bëjnë pjesë në fashat e çmimit të energjisë elektrike prej 7.6 lekë dhe 12 lekë për kWh. Por, ka edhe subjekte të tjera, sipas tij, që për arsye mungese dokumentacioni ose të gjendjes faktike që nuk janë furra buke, paguajnë 14 lekë për kë.
“Për të gjitha arsyet ose pretendimet si dhe për sahatet e dyta, në furrat që paguajnë 14 lekw, duhet të drejtoheni në Zyrat e Kujdesit ndaj klientit”, – sqarohet nga Shoqata e Bukës, Pastiçerive dhe Brumërave. Procesi i verifikimit në terren për ndarjen e subjekteve në 3 kategori nisi më 7 maj. Deri në 20 maj, furrat e bukës dhe pastiçeritë plotësuan formularin e shpërndarë nga Furnizuesi i Shërbimit Universal (FSHU) për kushtet konkrete se në cilën fashë të energjisë elektrike përfshihen. Plotësimi i formularit i paraprin zbatimit të vendimit të ERE-s të miratuar më 15 prill 2024, për ndarjen e çmimit të energjisë elektrike në 3 fasha, sipas kategorizimit të bizneseve të prodhimit të bukës.
Faturimet e reja që do të kryhen duke filluar nga 1 maji 2024 deri në 31 dhjetor 2024 do të zbatohen sipas çmimeve të reja për prodhuesit e bukës. Pas ngritjes së një grupi pune dhe konsultimeve të vazhdueshme, Shoqata e Bukës, Pastiçerive dhe Brumërave dhe MIE e OSHEE Group, kanë rënë dakord për tri çmime të ndryshme sipas llojit të aktivitetit që ka subjekti. Në vendimin e miratuar nga ERE për kategorinë e parë ku përfshihen “Vetëm Furra buke/prodhim mielli” çmimi i energjisë elektrike do të jetë 7.6 lekë/kWh. Për kategorinë e dytë “Furrë buke, produkte mielli shoqëruese, pastiçeri” çmimi do të jetë 9,5 lekë/kWh dhe për kategorinë e tretë “Furrë buke, produkte mielli shoqëruese, pastiçeri, shërbim Kafe” çmimi do të jetë 12 lekë/kWh.
Sipas vendimit të miratuar në 2018 nga ERE më përpara vetëm furrat e bukës dhe prodhimit të miellit për tension 0.4 kv paguanin një tarifë të subvencionuar prej 7.6 lekë/kWh. Ndërsa për bizneset të lidhura në tension 0.4 kv tarifa e energjisë është 14 lekë për kWh. Por pavarësisht vendimit të mëparshëm aktualisht të gjitha furrat në vend pavarësisht shërbimeve që ofronin si pastiçeri apo bar-kafe, energjinë e blinin me 7.6 lekë./Dita