Të paktën 12 palestinezë humbën jetën në sulmin që ushtria izraelite kreu në qytetin Khan Younis, në jug të Rripit të Gazës.

Sipas agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve WAFA, 10 palestinezë, përfshirë 3 fëmijë humbën jetën dhe shumë të tjerë u plagosën si pasojë e shënjestrimit nga ushtria izraelite të dy shtëpive në rajonin Al-Rumaydah, në lindje të Khan Younis.

Ndërsa dy palestinezë humbën jetën dhe shumë të tjerë u plagosën në sulmin e ushtrisë izraelite që shënjestroi shtëpinë e familjes ‘Abu Khater‘ në Khan Younis.

Ushtria izraelite gjithashtu shënjestroi edhe rrethinat e spitalit Evropian në Khan Younis.

Në sulmin e kryer nga ushtria izraelite më parë, ishte njoftuar se 10 palestinezë, përfshirë 6 gra dhe fëmijë humbën jetën si pasojë e bombardimit të dy shtëpive në kampin e refugjatëve Bureij dhe Nuseirat, në pjesën qendrore të Rripit të Gazës.

Në sulmet që ushtria izraelite ka kryer në Rripin e Gazës që nga 7 tetori e deri më tani, janë vrarë 36.439 palestinezë, përfshirë të paktën 15.328 fëmijë dhe 10.171 gra, ndërsa janë plagosur 82.627 palestinezë të tjerë.

Nën rrënoja ende ka mijëra të vdekur ndërsa po shkatërrohet infrastruktura civile duke u shënjestruar spitalet dhe institucionet arsimore ku është strehuar popullata./aa