Të paktën 10 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë, u vranë në sulmin e ushtrisë izraelite ndaj dy kampeve të refugjatëve në pjesën qendrore të Rripit të Gazës.

Sipas agjencisë palestineze të lajmeve WAFA, ushtria izraelite bombardoi dy shtëpi në kampin e refugjatëve Burayj dhe kampin e refugjatëve Nusayrat në pjesën qendrore të Rripit të Gazës.

Në sulmin e ushtrisë izraelite që kishte në shënjestër shtëpinë e familjes Akl në Burayj, humbën jetën 6 gra dhe fëmijë dhe u plagosën 15 persona. Trupat e 6 palestinezëve që humbën jetën dhe të plagosurit u dërguan në Spitalin e Martirëve Aksa në Deir al-Belah dhe vazhdojnë përpjekjet e kërkim-shpëtimit për ata që kanë mbetur nën rrënojat e shtëpisë së bombarduar nga Izraeli.

Katër palestinezë humbën jetën si pasojë e sulmit të ushtrisë izraelite në shtëpinë e familjes Ebu Nar në Avenue të Njëzetë në Nusayrat. Të plagosurit në sulmin e ushtrisë izraelite në rajonin Musbih në Rafah, në jug të Rripit të Gazës u dërguan në Spitalin Evropian në qytet.

Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori u vranë 36.439 palestinezë, përfshirë të paktën 15.328 fëmijë dhe 10.171 gra ndërsa 82.627 persona u plagosën. Raportohet se ka ende mijëra të vdekur nën rrënoja, infrastruktura civile po shkatërrohet duke synuar spitalet dhe institucionet arsimore ku njerëzit ishin strehuar.

Në vendimet paraprake të marra më 24 maj, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) vendosi që Izraeli të ndalojë menjëherë sulmet në Rafah, të mos bllokojë ndihmën humanitare dhe të lejojë zyrtarët e OKB-së të hyjnë në Gaza për të hetuar krimet e tij./aa