Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale një postim ku publikohen të dhënat për muajin prill, lidhur me turizmin në vendin tonë.

Rama shkruan se edhe ky muaj ka qenë mbresëlënëse dhe se tashmë “Shqipëria e Rilindur Turistike është një fakt gjithnjë e më botërisht i njohur, ndërkohë vetëm sytë e disa shqipove që nuk duan të shohin nuk e shohin, po më mirë kështu se na mbrojnë nga syri i keq”.

Kreu i qeverisë shprehet më tej se po ashtu ka rritje edhe të të ardhurave në ekonominë familjare të kujtdo që ka lidhje me zinxhirin e vlerës së industrisë së turizmit.

“Rriten investimet në infrastrukturën e mikpritjes, rriten punësimi dhe pagat në sektorin e shërbimeve, rriten edhe të hyrat në arkën e shtetit pa rritur taksa, rritet edhe krenaria e dinjiteti i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare”, shkruan Rama./TopChannel