Komisioni Hetimor për trajtimin e të dhënave të sistemit TIMS, është mbledhur sot për të vijuar marrjen në pyetje të dëshmitarëve sipas kalendarit të miratuar në mbledhjen e kaluar, ku fillimisht do të merret në pyetje ministri i Brendshëm Taulant Balla.
Në çelje të mbledhjes, kryetari i Komisionit Hetimor për të dhënat e TIMS, deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji kërkoi që marrja në pyetje e dëshmitarëve të ishte me dyert të hapura.
“Nuk ka informacione sensitive, të vijojmë me dyer të hapura marrjen në pyetje të dëshmitarëve”, tha Salianji.
Nënkryetari i Komisionit Hetimor, deputeti i Partisë Socialiste Toni Gogu, u shpreh se mbledhja duhet të vijojë me dyer të mbyllura, pasi çështja është nën hetim dhe ka informacione sensitive.
Pas diskutimeve, me një vendim të ndërmjetëm dhe me votat e mazhorancës komisioni vijojë marrjen në pyetje të ministrit Balla me dyer të mbyllura. Në mbledhje janë vetëm deputetët që janë pajisur me certifikatë sigurie.
Kalendari i dëshmitarëve për sot:
1. Ora 15:00 -Taulant Balla, Ministër i Brendshëm;
2. Ora 16:00 –Muhamet Rrumbullaku, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit
3. Ora 17:00 –Ervin Muça, Ish Drejtor i Departamentit IT në Policinë e Shtetit.
/ata