Presidenti Bajram Begaj, nga Azerbajxhani ku po zhvillon një vizitë zyrtare, bëri thirrje që Kosova dhe Serbia të respektojnë marrëveshjet e dakortësuara në forumet ndërkombëtare.

 

Kreu i Shtetit, Begaj, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, fillimisht theksoi se Shqipëria mbështet paqen afatgjatë në rajonin e Kaukazit jugor.

 

“Me Presidentin Aliyev, u ndalëm dhe në çështje me rëndësi në politikën e jashtme. Ndoqa me vëmendje bisedimet e fundit në Uashington mes Azerbajxhanit dhe Armenisë. Shqipëria mbështet paqen afatgjatë në rajonin e Kaukazit jugor, të ndërmjetësuar nga partnerë të besueshëm. I shpreha Presidentit Aliyev se Shqipëria ka mbështetur gjithnjë integritetin territorial të Azerbajxhanit dhe zbatimin e rezoultave të Këshillit të Sigurimit”,- tha Begaj, i cili më tej ktheu vëmendjen tek tensionet në veriun e Kosovës.

 

“Edhe në rajonin e Balkanit Perëndim dialogu është shumë i rëndësishëm që ta shohim njëri tjetrin, jo mes mërive të së djeshmes, por ta shohim njëri tjetrin përmes mundësive të së ardhmes”,- theksoi Begaj.

 

“Shpreha bindjen se stabiliteti rajonal në Ballkanin Perëndimor është elementë i domosdoshëm. Kosvoa e Serbia janë palë negociuese për zgjidhjen e çdo mos marrëveshje dhe të ndërtimit të një fryme të re bashkëpunimi mes njëri tjetrit. Respektimi i marrëdhënieve të dakortësuara nga palët, si mes tyre dhe në forumet ndërkombëtare duhet të jetë pikë orientimi drejt paqes së qëndrueshme”,- nënvizoi Kreu i Shtetit.

 

“Prosperiteti dhe jo konflikti duhet të jetë busulla e orientimit të mbarëvajtjes së marrëdhënieve bilaterale dhe rajonale. Sa më shpesh të ndodh diçka e tillë aq më dobiprurëse do jetë për popujt tanë”,- tha Begaj gjatë fjalës së tij.