Dhoma Kombëtare e Avokatisë në shenjë sensibilizimi me avokatin e dhunuar Sokol Mëngjesi, vendosi sot të bojkotojë për tre ditë seancat gjyqësore, përveç çështjeve që lidhen me masat e sigurisë.
Dhoma Kombëtare e Avokatisë u mblodh sot me dyer të mbyllura pas dhunës ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, me 29 maj tek zona e ish-bllokut.
Mbledhja u thirr në mënyrë urgjente nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë.
Kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maks Haxhia, në përfundim të mbledhjes urgjente të zhvilluar sot në Tiranë, artikuloi dy vendimet e marra nga trupa e avokatëve.
“Dhoma Kombëtare e Avokatisë, vendosi që të bojkotojë për 3 ditë në shenjë solidariteti me kolegun tonë çështjet penale e civile, duke nisur nga nesër. Nga ky vendim përjashtohen të hyjnë në seancë gjyqësore avokatët që lidhen me masat e sigurimit. Për të gjithë avokatët që do shkojnë në procese gjyqësore civile apo penale jashtë këtij rrethi, çështja do të konsiderohet dhe vlerësohet si shkelje e rëndë e disiplinës”, theksoi Haxhia.
“Po ashtu u vendos që të merren masa vetëpastruese ndaj të gjithë avokatëve që do të shkelin ligjin për avokatinë, praktikat e dhomës së avokatisë…etj. Po ashtu të gjithë avokatët do të futen në sitë për vlerësuar figurën e tyre, edhe pse nuk na rezulton të ketë problematika në këtë drejtim”, tha Haxhia.
Ai u shpreh se kjo ngjarje ishte në vazhdën e përshkallëzimeve që kanë ndodhur ndaj Dhomës së Avokatisë. Haxhia në emër të Dhomës Kombëtare të Avokatisë etiketoi si përgjegjës segmente të politikës, prokurorët dhe gjyqtarët për trajtimet e diferencuara, si dhe institucionet drejtuese të gjyqësorit, KLGJ dhe KLP. Ai tha se një kritikë shkon edhe ndaj misionit të Bashkimit Europian, që duhet të hedhë sytë nga vendimet e Strasburgut lidhur me rolin e avokatit.
Më herët përpara nisjes së mbledhjes, Haxhia foli për mediet duke i uruar shërim të shpejtë avokatit Mëngjesi, ndërsa falënderoi Policinë e Shtetit dhe median për angazhimin.
“Falënderojmë Policinë e Shtetit për gatishmërinë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe ndalimin e autorëve, të cilët do dalin para drejtësisë ku duhet të marrin dënimin e merituar. Falënderojmë dhe mjekët për angazhimin profesional për të mbajtur nën kontroll kolegun tonë. Falënderojmë edhe median për punën e zhvilluar dhe që ka qenë krah nesh”, tha Haxhia.
Më tej, kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatëve evidentoi problematikat e sektorit.
“Ne kemi mbledhur dhe kemi përcjellë me shqetësim të gjitha denigrimet që i janë bërë dhomës së Avokatisë, avokatëve dhe profesionit tonë. Një qëndrim i tillë është mbajtur dhe me avokatët në Durrës, të cilët i kanë pozicionuar në ambiente të papërshtatshme dhe jo profesionale njerëzore për të ushtruar profesionin e tyre. Përgëzoj Dhomën e Durrësit për vendimmarrjen dhe qëndrimin në unison të të gjithë anëtarëve. Megjithatë ne patëm një së bashku me organet drejtuese patëm një takim dhe kryetarin e dhomës së avokatëve të Durrësit dhe kryetaren e Gjykatës së Durrësit, i cili për hir të së vërtetës pranoi që situata nuk ishte fare e përshtatshme me urdhërin që na kishte dhënë. Na u tha, se do ta revokonte urdhërin dhe e falënderojmë që e ka revokuar”, vijoi Haxhia.
Haxhia u ndal edhe tek Reforma në Drejtësi. “Ajo nuk është ajo që kemi dashur dhe prisnim të shikonim, që donim ta konceptonim drejtësinë e paanshme, të varur e të frikësuar dhe jo diskriminuese veçanërisht për avokatët. Kjo bëri që sot të jemi në këtë situatë”, tha Haxhia.
“I bëjë thirrje publikut, që të tregojë shkallë të lartë civilizimi, të vlerësojë profesionin e avokatit. Avokati është niveli më i lartë intelektual i drejtësisë, që ndihmon në realizimin e drejtësisë dhe mos u nisni nga interesat e ngushta të humbjes së një gjyqi. Nesër mund të keni nevojë sërish për një avokat për një gjyq tjetër. Po ashtu u bëj thirrje politikës, ekzekutivit, të heqin dorë nga tipizimi i avokatëve si shkaktarë të situatave, si avokatë të kriminelëve, përkundrazi, të gjesh elementë mbrojtës dhe tek ai që gabon tregon nivel të lartë dhe civilizim të shoqërisë dhe shtetit”, nënvizoi Haxhia.
Avokati Sokol Mëngjesi u dhunua me 29 maj nga tre persona në zonën e Ish-bllokut, pak momente pasi kishte lënë djalin në kopsht. Dhunuesit u larguan me një mjet që i priste aty pranë. Policia zbardhi ngjarjen, duke arrestuar organizatorin dhe një prej dhunuesve, teksa u shpallën në kërkim tre personat e tjerë. Policia ofron 20 000 euro per kedo qe jep informacion per kapjen e autoreve./ata