Ministrja e Shtetit dhe kryenegociatorja Majlinda Dhuka theksoi sot se Shqipëria e ka të qartë rrugëtimin dhe masat që do të ndërmarrë për plotësimin e kritereve për anëtarësim deri në vitin 2030.
Dhuka e pranishme sot në seancën dëgjimore në Komisionin për Çështjet Europiane foli për ecurinë e masave të marra në kuadër të procesit screening, duke theksuar se “Shqipëria e përfundoi me sukses procesin screening dhe pati vlerësime pozitive nga Bashkimi Europian si Komisioni Europian dhe vendet anëtare”.
“Ishte një proces i gjerë, gjithëpërfshirës dhe shumë intensiv. Rreth 1800 zyrtarë publikë nga 157 institucione publike morën pjesë në procesin screening. Nga 157 institucionet publike të përfshira 32 janë institucione të pavarura, pjesa më e madhe të cilave rreth 27 prej tyre me detyrimin ligjor për të raportuar drejtpërdrejt në Kuvendin e Shqipërisë. Një punë e madhe përgatitore u zhvillua i nga ekipi i negociatave, u përgatitën 777 prezantime për çështje të ndryshme të lidhura me kriteret për anëtarësim në Bashkimin Evropian të cilat u paraqitën në takimet e përbashkëta me Komisionin Europian. Për t’i përgatitur këto janë realizuar rreth 350 takime koordinuese të ekipit kombëtar të negociatave dhe 126 seanca trajnimi përgatitore”, nënvizoi Dhuka.
Në përfundim të procesit screening, vijoi Dhuka, Shqipëria duhet të paraqiste kushtet për çeljen e negociatave për grupin e parë prej 8 kapitujsh i njohur si grupimi “Themeloret”.
“Përafrimi me Bashkimin Evropian kërkon një përafrim të thellë të kuadrit ligjor politik administrativ dhe sistemit ekonomik e shoqëror të vendit. Në thelb të këtij përafrimi është konsolidimi i shtetit të së drejtës, reformimi i administratës publike për të qenë një administratë e vendit anëtar të BE-së dhe mirëfunksionimi i institucioneve demokratike me në zemër Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Këto çështje përbëjnë edhe kushtet për çeljen e negociatave për grupimin e parë të kapitujve “Themeloret””, nënvizoi Dhuka.
Dhuka u shpre se “Shqipëria që në dhjetor të 2023 ka përmbushur të gjitha kushtet teknike të BE-së për çeljen e negociatave për grupimin e parë të kapitujve “Themeloret”. Gjatë gjithë procesit screening kemi punuar paralelisht, shumë intensivisht edhe për kushtet për çeljen e negociatave të cilat janë dy; udhërrëfyesi për shtetin e së drejtës, për funksionimin e institucioneve demokratike dhe udhërrëfyesi për reformën në administratën publike”.
“Shqipëria i përgatiti dy udhërrëfyesit dhe i ka dorëzuar në BE në 13 dhjetor 2023 duke plotësuar kushtet për çeljen e negociatave. Këto udhërrëfyes përmbajnë masat me natyrë legjislative, reformuese, institucionale që do të marrë Shqipëri në periudhën 2024-2-30 pë për të plotësuar kriteret për anëtarësim në BE”, shtoi Dhuka.
Lidhur me planin e rritjes për Ballkanin Perëndimor Dhuka tha se “plani i rritjes është miratuar nga Bashkimi Europian në 7 maj të këtij viti dhe tani jemi në fillimin e procedurave formale të bashkëpunimit me Bashkimin Europian përmes Komisionit Europian, për planin e rritjes për Ballkanin Perëndimor, pjesë e të cilit është edhe Shqipëria. Ne punojmë dhe progresojmë me një destinacion të qartë”
Sa i përket rekomandimeve dhe masave, Dhuka tha se “raporti i progresit të BE-së për vitin 2023 përmban 761 rekomandime për Shqipërinë, nga të cilat 390 rekomandime ose mbi 51% i përkasin grupimit të parë të kapitujve “Themeloret” , ndërsa pjesa tjetër i përkasin temave të tjera”./ata