Ministria e Turizmit dhe Mjedisit ka hartuar planin e shpalljes të zonës së mbrojtur mjedisore “Park Kombëtar Lugina e Vjosës” dhe ka zhvilluar dëgjesën e parë, pas përfundimit të studimit të fizibilitetit nga grupi i ekspertëve shqiptarë e të huaj.

 

Në dëgjesën e zhvilluar ishte e pranishme dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro e cila theksoi në postimin e saj në rrjetet sociale se, “dëgjesat e konsultimeve të tjera publike do të vijojnë në Vlorë, Tepelenë e Gjirokastër, për të bërë gati shpalljen zyrtare brenda pranverës”.

 

Ministrja Kumbaro gjatë kësaj dëgjese tha se, “në respekt të punës së bërë nga gjithë ky ekip i madh në Samitin e Biodiversitetit vjet në dhjetor në Kanada, Vjosa ishte një ndër ngjarjet më të rëndësishme. Unioni ndërkombëtar për ruajtjen e natyrës, që është organizata më e rëndësishme që përcakton standardet, mbi bazën e parimeve të së cilës hartohen të gjitha ligjet kombëtare jo vetëm në Shqipëri por kudo në përputhje me Zonat e Mbrojtura certifikoi që gjithë procedura e fazës së parë është bërë në përputhje me këto standarde ndërkombëtare. Besoj që Shqipëria ka arsye të jetë krenare dhe sidomos ekipi i ekspertëve dhe organizatave që punuan në të”.

 

Ekspertja e ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit e pranishme në këtë dëgjesë tha se “ky lum i egër në fakt përbëhet nga një mozaik gjigand i llojeve të ndryshme të habitateve, duke nisur nga kanionet në pjesën e sipërme të terrenit gjarpërues së tij, në pjesën e mesme të luginës dhe gërshetuar kështu në pjesën fundore në daljen e deltës. Është një ekosistem thuajse i paprekur natyror dhe konsiderohet si një vatër shumë e rëndësishme e habitateve dhe specieve të ndryshme që janë ende të ruajtura në listën e kuqe të specieve”.

 

Një tjetër eksperte u shpreh se, “në hartë shikohet zonimi i propozuar, aktualisht jemi duke folur për një territor me sipërfaqe 11 mijë e 822 hektarë që është zona qendrore dhe kjo e tejkalon atë përqindjen e kërkuar nga IUCN-ja 75%, pra është shumë me tepër. Grupi i ekspertëve i propozon AKZM-së dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit shpalljen e Vjosës në fazën e parë Park Kombëtar, ku përfshihet Vjosa, Shushica, Bënça, Drino dhe dega e tij Kardhiqi si dhe i propozon AKZM-së dhe Ministrisë që të vijohet puna në 2023 për fazën e dytë të shpalljes së Vjosës Park Kombëtar”.

 

Pas një pune intensive gjashtëmujore të ekipit prej 30 ekspertësh kombëtarë dhe ndërkombëtarë, u dorëzua pranë Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dokumenti “Vjosa Lumi i Egër – Park Kombëtar – Vizioni dhe Studimi i Fizibilitetit”, hartuar sipas standardeve ndërkombëtare të mbrojtjes dhe mban vulën e IUCN.

 

Në 13 qershor 2022 u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe organizatës amerikane “Patagonia” për nisjen e punës së përbashkët për ta shpallur Vjosën “Park Kombëtar”.

 

Për shkak se lumi Vjosa dhe lugina e tij është një park shumë kompleks, është marrë ekspertizë ndërkombëtare përveç asaj të brendshme, që të gjitha procedurat e shpalljes të Vjosës Park Kombëtar, të jenë me standardet më të larta ndërkombëtare./ATSH