Nata e katërt e “Porto Palermo Festival” u përmbyll magjishëm në Kalanë e Ali Pashë Tepelenës me një performancë artistike të papërsëritshme nga sopranoja lirike Inva Mula, pianisti dhe kompozitori i mirënjohur Genc Tukiçi dhe violinisti virtuoz Olen Cesari.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau në rrjetet sociale foto nga ky event i cili mbështetet nga MEKI.

“Një trio perfekte, një harmonizim i një shpirti të vetëm. Alkimia e tyre në skenë, e kultivuar me vite bashkëpunimi dhe përkushtimi të thellë, i fali publikut një përvojë drithëruese dhe të mbushur me tinguj që prekin shpirtin”, vlerësoi Gonxhja.

Ministri bëri të ditur se programi muzikor, mjeshtërisht i përgatitur nga artistët, përfshiu interpretime të këngëve shqiptare dhe të huaja në gjuhë të ndryshme.

“Siç shprehen edhe vetë artistët, ‘muzika nuk ka pasaportë, është ndërkombëtare'”, tha Gonxhja, ndërsa ftoi qytetarët që të bashkohen në netët e ardhshme për të përjetuar këtë magji muzikore./ata